Site icon Telegrafi

Premtimi që Xavi i kishte bërë Yamalit për ta parandaluar transferimin e tij tek PSG-ja

Ka pak futbollistë në botë të cilët janë në gjendje të dhurojnë spektakël në fushë si Lamine Yamal, i cili këtë sezon po tregon lojëra edhe më të mira si titullar tek Barcelona.

Fakti se ai sot është lojtar i Barcelonës duket se meritat kryesore i ka ish-trajneri Xavi Hernandez.

Sipas Mundo Deportivo, intervenimi që kishte bërë ai kishte bërë një diferencë të madhe kur Lamine Yamal po kërkohej me ngulm nga Paris Saint-Germaini.

Presidenti Joan Laporta kishte thënë publikisht se ai ka refuzuar një ofertë prej 250 milionë eurosh këtë vit, por 17-vjeçari nuk ishte asnjëherë afër transferimit në ‘Parkun e Princave’.

Sidoqoftë vitin paraprak, para se Lamine Yamal të mbushte 16 vjet dhe të nënshkruante kontratën e tij profesionale, PSG-ja kishte tunduar atë me një ofertë të madhe.

Xavi kishte biseduar me Lamine Yamal dhe ia kishte shpjeguar se çfarë e ka motivuar atë që të qëndronte tek Barcelona dhe më pas e siguroi se do t’ia dhuronte debutimin me ekipin e parë.

Në këmbim, ai do të duhej të nënshkruante kontratën e tij të parë profesionale me klubin, diçka të cilën ai e bëri dy vite më parë.

Agjenti Ivan De La Pena gjithashtu bëri pjesën e tij duke siguruar se Lamine Yamal do të qëndronte tek Barcelona dhe vetëm pas kësaj agjenti i tij aktual Jorge Mendes bindi prindërit e sensacionit spanjoll që të nënshkruajnë me të./Telegrafi/

Exit mobile version