“Bileta” titullohet kënga më e re e Kidës që ka ardhur me ritme verore dhe është kompletuar edhe nga ana vizuale.
Kënga është prodhimi i producentëve ZzapnChriss, ndërsa tekstin e kanë shkruar Fuego, Kida dhe Zzap.
“Muzikën si gjithmonë e kanë realizuar Zzap dhe Chriss, gjersa teksti është shumë interesant dhe flet për dashurinë”, kishte treguar këngëtarja për Telegrafin.
Ajo ka treguar se paraqitjet në videon muzikore që e ka xhiruar produksioni Filmnation, ia ka besuar tash e sa kohë stilistes së saj të rregullt.
“Për stilin tim kujdeset Diana Qerimi, por në disa raste edhe unë sigurisht. Paraqitja si artiste në skenë duhet të jetë e veçantë dhe ka shumë rëndësi. Ndaj dhe përpiqem në maksimum që të përzgjedh më të mirë”, ka thënë këngëtarja.
Ndryshe, vera do të jetë e mbushur me angazhime për këngëtaren, e cila në një bisedë për Telegrafin, kishte treguar se nuk e ka ndërmend të ndalet së punuar.
“Po, jam shumë e angazhuar me koncerte dhe projekte të reja. Pas kësaj kënge, do të vijë edhe një projekt tjetër i punuar nga Zzap dhe Chriss, i cili do të publikohet në qershor”, ishin fjalët e Kidës. /Telegrafi/