Këngëtarja e njohur Fjolla Morina dhe rap-artisti Endrit Mumajesi – Muma, kanë publikuar projektin e tyre më të ri muzikor me titull “Culo”.
“Muzika është punuar nga Alfred Sula në Shqipëri. Këtë herë vi në bashkëpunim me Muman, kënga flet më shumë për jetën e natës, për ndejat në clube, është diçka e veçantë dhe shumë provokuese”, kishte thënë Fjolla në një prononcim për Telegrafin.
Dyshja që u bënë bashkë për herë të parë në një duet, erdhën mjaft ‘të nxehtë’ në kripin e këngës, i cili i është besuar Max production.
“Xhirimet e klipit janë kryer në Tiranë tek një hotel, ende pa u hapur! Unë personalisht mendoj që kemi vende të bukura për me xhiru në vendin tonë, dhe kur ke ide sigurisht që klipet dalin bukur, aq më tepër me ndihmën e MAX Production”, kishte thënë tutje këngëtarja Morina.
Ndërkohë, Endrit Mumajesi fillimisht ka qenë i njohur për publikun si tekstshkrues i shumë këngëve të njohura, ndërsa viteve të fundit, ka sprovuar veten edhe si reper.
Pas bashkëpunimit të suksesshëm me Genta Ismajlin, Muma shpreson që të njëjtën gjë ta përsërisë edhe me duetin e ri. /Telegrafi/