Site icon Telegrafi

Premiera e shfaqjes “Vojçek” hap vitin e ri teatror të Teatrit të Gjakovës

Nën regjinë e regjisores Zana Hoxha, shumë shpejt në Teatrin e Qytetit të Gjakovës, pritet të shfaqet premiera e shfaqjes “Vojçek”, me autor dramaturgun gjerman Georg Büchner.

Kjo shfaqje ebazuar në dramën origjinale të Georg Büchner, është një portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes njerëzore dhe efektit shkatërrues të padrejtësive shoqërore. Në adaptimin e Jack Thorne, i cili është një prej dramaturgëve anglez më të inskenuar momentalisht, historia vendoset në një realitet të dhimbshëm dhe brutal ku kufijtë midis dëshpërimit, dashurisë dhe çmendurisë, zhduken.

Vojçek, personazhi sipas të cilit e ka marrë emrin edhe vetë shfaqja, është një ushtar i varfër dhe i shtypur, i cili poashtu përballet me realitetin e zymtë të jetës së tij, mungesa e sigurisë financiare, shfrytëzimi nga eprorët dhe degradimi si objekt eksperimentesh mjekësore.

Vojçek pavarësisht këtyre vështirësive, përpiqet të sigurojë jetesën për gruan e tij Marian dhe fëmijën e tyre të vogël, por presioni i varfërisë dhe dhuna psikologjike fillojnë ta çojnë drejt shpërbërjes mendore.

Pjesë e kësaj shfaqjeje do të jenë aktorët, Bujar Ahmeti, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Altina Kusari, dhe Enzo Kastrati. /Telegrafi/

Exit mobile version