Miliona përdorues të telefonave të mençur do të preken nga vendimi i Google për të prerë lidhjet e sistemit të tij operativ Android me prodhuesin kinez të telefonisë Huawei.
Lajmi që vjen në mesin e një lufte të vërtetë tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, do të thotë që përdoruesit e Huaweit të fillojnë të humbasin qasjen në shërbimet si Gmail, Youtube dhe Google Maps.
Lëvizja nga gjiganti i motorit të kërkimit, në frontin e programeve është shoqëruar edhe nga lajmi që prodhuesit amerikanë të çipëve nuk e furnizojnë më Huawein, duke dëmtuar edhe aspektin harduerik për telefonat e tij.
Vitin e kaluar, Huawei ka shitur rreth 203 milionë telefona, ndërsa në vitin 2017 shitjet ishin 150 milionë telefona, duke lënë pas Apple dhe duke kërcënuar madje edhe Samsungut që është në krye të klasifikimeve botërore.
Për tremujorin e parë të vitit 2019, para përplasjes me Administratën e presidentit Donald Trump, kompania kishte shitur rreth 59 milionë telefona. /Telegrafi/