Me dhënien e fjalëve përfundimtare nga prokurori, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre ka prekur fundin gjykimi i katër të akuzuarve lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur në vitin 2013-2014.
Në këtë rast të akuzuar janë Mimoza Beqiri, Behare Bajrami, Betim Ismajli dhe Ardian Hamiti, të cilët po akuzohen se kanë mashtruar persona të ndryshëm, duke u premtuar se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe se për këtë u kanë marrë shuma të ndryshme parash.
Kujtojmë se pas ndërrimit të trupit gjykues në seancën e datës 31.05.2024 gjykimi filloi rishtazi dhe të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje.
Prokurori Armend Hamiti dorëzoi fjalët përfundimtare me shkrim po ashtu edhe elaborimin e tyre gjatë seancës së sotme, më 10.07.2024.
Përveç prokurorit dorëzimin e fjalëve përfundimtare me shkrim e kanë bërë edhe avokatët e të akuzuarve.
Sipas Prokurorisë, me paraqitjen e provave materiale është arritur të vërtetohet se të njëjtit kanë kryer veprat penale sipas përshkrimit të dispozitivit të aktakuzës.
Prokurori gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare i propozoi Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë.
Tutje seanca e shqyrtimit gjyqësor vazhdoi me elaborimin e fjalëve përfundimtare nga avokati i Mimoza Beqirit, avokati Shefqet Hasimi, i cili kërkoi të refuzohet aktakuza në mungesë të provave.
“Unë s’kam qenë personi adekuat ashtu se si më kanë përshkruar në të gjitha pikat e aktakuzës. Unë si Mimoza nuk i kam mundësuar askujt incizimin e universiteteve përkatëse, as nuk jam përfshirë në falsifikimin e vërtetimeve siç vijon me emra në dispozitiv të aktakuzës dhe as nuk jam person përkatës që i kam ndërprerë shkollimin ashtu siç kanë thënë se një herë na kanë regjistruar pastaj na kanë larguar” – deklaroi e akuzuara Mimoza Beqiri.
“Ne si mbrojtje në raport me këtë vepër penale konsiderojmë se ka arritur afati i parashkrimit absolut i veprës penale për shkak se për shkak të përshkrimit të gjendjes faktike të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2013-2014 e që nga provat materiale po ashtu edhe nga dëgjimi i dëshmitarëve nuk është specifikuar se deri në cilën datë të vitit 2014 është kryer kjo vepër penale” – tha mbrojtësi i të akuzuarës Behare Bajrami, Leotrim Himaj, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare.
“Për ne si mbrojtje konsiderohet të ketë arritur afati i parashkrimit më 01.01.2024 “ – shtoi tutje avokati Leotrim Himaj.
Për këtë arsye avokati Himaj i propozoi Gjykatës që të marrë aktgjykim lirues.
E akuzuara Behare Bajrami i mbështeti fjalët e avokatit të saj dhe nuk pati ndonjë gjë të shtojë më tepër.
Avokati Naser Sopjani, i cili është mbrojtësi i të akuzuarit Betim Ismajli, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare po ashtu kërkoi që të mbrojturin e tij Gjykata ta lirojë nga akuza.
“Lidhur me veprën penale – falsifikimi i dokumenteve, gjatë zhvillimit të këtij procesi gjyqësor akuza nuk ka mundur me asgjë të dëshmojë dhe ta mbështetë dyshimin e bazuar mirë se i mbrojturi im e ka kryer këtë vepër penale” – tha avokati Mentor Bogaj, mbrojtësi i të pandehurit Ardian Hamiti.
”E mbështes, nuk kam të bëj aspak me këtë” – tha i akuzuari Ardian Hamiti.
Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të Mehdie Bytyqit, Gent Bekës dhe Ertan Sejfullait.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje do të bëhet më 12.07.2024, raporton Kallxo.