Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë pranuar mbi 600 ankesa lidhur më publikimin e të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publik.
Sogojeva-Dërmaku gjatë intervistës në “Përballje”, në Telegrafi.com ka folur për Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe atë të qasjes në dokumente publik.
“Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale por edhe Ligji për qasje në dokumente publike është nxjerrë në vitin 2019, dhe si të tilla zbatimin e tyre e kanë filluar në vitin 2021. Pra, në momentin e emërimit tim si komisionere, nëse bëjmë një krahasim në numrin e ankesave që na parashtrohen, dhe normalisht interesimit të publikut që e kanë, qoftë me kërkesa për këshilla, qoftë me sinjalizimet që bëjnë tek ne, situata sa i përket ankesave dhe qasjes në dokumente publike është shumë më e madhe, por kjo nuk do të thotë se ne si Kosovë qëndrojmë mirë sa i përket çështjes së sigurisë”, ka pohuar ajo.
Komisionerja Dërmaku ka thënë se kosovarët janë të prirë që të publikojnë të dhënat e tyre personale në rrjetet sociale.
“Kjo ndërlidhet ngushtë me qytetarin, që si shoqëri jemi të prirë që në rrjetet sociale të publikojmë shumë për veten, pa qenë të vetëdijshëm sa e rrezikojmë jetën tonë”, theksoi ajo.
Më tej, ajo theksoi se kanë pranuar 421 ankesa që kanë të bëjnë për qasje në dokumente publike, kurse mbi 200 për publikimin e të dhënave personale.
“Ne kemi inspektuar shumë biznese, institucione publike e private që janë kontrolluese të të dhënave personale. Numri i vendimeve të nxjerra deri tani është 172”, theksoi ajo.
Tutje, ajo shtoi se agjencisë i është dhënë një fuqi ligjore, që është vetë shqiptimi i gjobave.
“Kjo po ndikon në ndërgjegjësimin institucional. Numri më i madh i ankesave është nga qytetarët, pastaj OJQ, pastaj gazetarë”, shtoi tutje.
Dërmaku bëri të ditur se tetë gjoba kanë shqiptuar që kanë të bëjnë për publikimin e të dhënave personale, kurse pesë për qasje në dokumente publike.
Ajo po ashtu përmendi edhe gjobën e shqiptuar ndaj Partisë Socialdemokrate, që ka të bëjë me publikimin e të dhënave personale, ku PSD u dënua me 20 mijë euro./Telegrafi/