Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, e ka humbur paksa vetëbesimin, pasi ka dështuar të shënojë në pesë paraqitje në këtë sezon.
Argjentinasi realizoi 23 gola për Bianconerët në edicionin e kaluar, por në sezonin e ri akoma nuk e ka gjetur rrjetin. Për këtë, ai e ka fajësuar veten, ndërsa thotë se nuk ka probleme me partnerin e tij në sulm, Gonzalo Higuain.
“Higuain? Gonzalo është lojtar shumë i rëndësishëm për Juventusin, njësoj si gjithë transferët e rinj. Ata do të na ndihmojnë që të përmirësohemi më shumë në krahasim me vitin e kaluar”.
“Në nivel personal, në sezonin e kaluar e nisa më mirë, prandaj ndoshta më mungon paksa vetëbesimi përpara portës”.
“Mirëpo, unë gjithmonë përpiqem të jap kontributin tim në shumë mënyra, duke vrapuar më shumë për bashkëlojtarët e mi ose për ta fituar topin në zonat mbrojtëse”, ka theksuar Dybala për ESPN. /Telegrafi/