Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi sot para mediave se Kosova do të pranojë refugjatë nga shteti i Afganistanit.
Siç njoftoi kryeministri, Kosova në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të strehojnë afganë, duke shtuar se detaje tjera rreth refugjatëve do të bëhen ditëve në vijim.
Vendimi për strehimin e afganëve në Kosovë ka nxitur debat në mesin e qytetarëve, nëse duhet pranuar ose jo shteti Kosovës qytetarë afganë.
Telegrafi ka pyetur disa qytetarë në Sheshin e Prishtinës, se çfarë mendojnë për strehimin e afganëve në Kosovë, ku shumica e të intervistuarve deklaruan se Kosova duhet pranuar refugjatë nga Afganistani.
“Të dobëtit me i ndihmu sa më shumë, duhet me i pranu. Sipas kushteve duhet me i pranu edhe ata, me i kuptu emocionet e tyure, shëndetin e tyre, jetën e tyre. Kështu që edhe ne e kemi kaluar atë periudhë edhe neve na ka pranuar dikush”, deklaroi qytetari Lutfi Berisha.
Po ashtu, qytetari Hysni Rreci deklaroi se Kosova duhet pranuar refugjatë, pasi në të njëjtën gjendje kanë qenë ne vitet e 90-ta.
“Kjo është e padiskutueshme në vitet e 90-ta, ne kemi gjetur strehim në Evropë, Itali, Zvicër e të tjera, kjo nuk duhet të diskutohet, Pa marrë parasysh situatën, ata e lypin një strehim, nuk do të thotë se kërkojnë ku me ditë çfarë kushteve, ata janë në gjendje lufte, dhe duhet me gjet vetëm një strehim”, pohoi ai.
Kurse, Rrustem Osmani, nga Ferizaji, i cili jeton dhe vepron në Francë, tha se Kosova duhet të pranojë refugjatë, pasi që ata gjenden në vështirësi.
“Unë jam bashkatdhetarë, gjatë luftës kam shku si refugjatë në Francë, dhe normal nëse ata gjenden në këto vështirësi, që humbin jetën sikur kosovarët, normal që duhet sipas mundësive me i pranu në konsultim me SHBA-në, sa ka mundësi t’i pranoj, pasi po shihet që Kosova është në gjendje të vështirë. Kushtet nuk janë të mira, por ata janë në gjendje lufte”, theksoi ai.
Ndërkaq, qytetari Xhafer Mehani, për dallim nga parafolësit e tij, tha se atij nuk i ka pëlqyer që afganët do të vijnë në Kosovë
“Mua nuk më pëlqej kjo, ata janë tjerë, veç më i gjet ndonjë vend izolim, ashtu siç na kanë lënë neve. Unë frikësohem se ata janë tjerë”, tha mes tjerash ai.
Ndryshe, refugjatët afganë pritet të vendosen në Kosovë dhe Shqipëri, sipas kërkesës së SHBA-së.
Kryeministri Kurti në një konferencë për media, deklaroi se ka një muaj që kanë zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për strehimin e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Qytetarët kudo në botë jo vetëm që e meritojnë por edhe iu takon demokracia, liritë dhe të drejtat, dhe ne shpresojmë dhe urojmë më të mirën për qytetarët e Afganistanit. Në anën tjetër, ka një muaj që Qeveria e Kosovës është në kontakt me SHBA-në, për të përgatitur në aspektin organizativ, strehimin dhe mbrojtjen e një numri refugjatëve të Afganistanit. Ne jemi shtet serioz, këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe më shumë suksese, pasi çështja e tyre është e dhimbshme dhe ndjeshme e sigurisë”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, Afganistani është bërë kryelajm i mediave botërore, kjo për faktin se talibanët kanë marrë nën kontroll kryeqytetin – Kabulin.
E kjo bëri që shumë diplomatë dhe punonjës të ambasadave të huaja të fillojnë procesin e evakuimit, nga frika se mund ta pësojnë me jetë.
Në momentin që ata kanë shpallur fitoren në këtë qytet, presidenti i këtij vendi Ashraf Ghani është larguar nga vendi së bashku me kabinetin e tij – duke ia mësyrë Taxhikistanit. /Telegrafi/