Unioni kristiandemokrat në Gjermani nxori armët e rënda këtë javë, në prag të zgjedhjeve të së dielës: një fotografi bardhezi e Angela Merkelit kur ishte fëmijë dhe shënimi: “Për një Gjermani ku cilido mund të bëhet ç’të dojë”. Duke marrë parasysh që vajza në fotografi u rrit në Gjermaninë Lindore komuniste, për t’u bërë më pas një prej udhëheqëseve më të fuqishme të botës, mesazhi është i vetëkuptueshëm.
Gruaja e njohur si “Mutti”, që do të thotë “Mami” – për shkak të stilit të saj të palëkundur dhe pamjen prej “një mami që di të gjitha”, duket se i fton njerëzit të projektojnë mbi të idetë e tyre për atë që ata mendojnë se është Merkeli. Megjithatë, Merkel mbetet përjetësisht e vështirë për t’u zbërthyer. Për disa është një heroinë liberale, falë qasjes së saj ndaj krizës së refugjatëve apo sjelljes kundrejt udhëheqësve botërore, si Donald Trump apo Vladimir Putin. Por, nga ana tjetër, është kundër martesave të homoseksualëve dhe ka miratuar një ndalim të burkës në të kaluarën.
Është kreu ekonomisë më të fortë të Evropës. Por, ajo ende jeton në një apartament të thjeshtë në Berlinin qendror dhe vishet me të njëjtat rroba të zhubrosura në pushimet vjetore kur del të bëjë ecje në mal. Ajo është një politikane që nuk ka hijeshi në podium, por sipas gazetarit të “Der Spiegel”, Dirk Kurbjuveit – i cili e ka shoqëruar Merkelin në shumë udhëtime – në privatësi ajo mund të jetë e gëzueshme, e rrethuar me njerëz, e madje i lejon vetes të shpërthejë në të qeshura.
“Të qënit e nënvlerësuar, gjithmonë e ka ndihmuar”, thotë Tanit Koch, kryeredaktor i gazetës më të madhe të Gjermanisë, Bild.
Shumë e kanë nënvlerësuar, për të keqen e tyre. Si për shembull ish-kancelari Helmut Kohl, i cili e bëri Merkelin, vajzën e re dhe të turpshme, ministre të tij për gratë dhe të rinjtë në vitin 1991. Kohl e quante “vajza ime”, e më vonë “vrasësja ime”, pasi ajo i dha fund karrierës së tij më 1999, duke e denoncuar publikisht në një televizion kombëtar, pasi Kohli ishte kapur në një skandal të financimit të partisë.
Më pas ishte Vladimir Putini i cili solli Labradorin e tij të madh e të zi në një takim me kancelaren, e cila është e tmerruar nga qentë.
“Unë e kuptoj pse ai duhet ta bëjë këtë, për të provuar se është burrë”, i tha Merkeli më pas një grupi gazetarësh. “Ai ka frikë nga dobësia e tij”.
E lindur në korrik 1954, do të merrte doktoratën në kimi kuantike, para se të hynte në politikë në fillim të viteve 1990 – pas rënies së Murit të Berlinit. Shumë kohë para se të ballafaqohej me të gjithëpushtetshmit e sotëm të botës, do të zotëronte arenën politike shoviniste të Gjermanisë. Uniforma e saj e kostumeve serioze dhe këpucëve normale ka lindur kur ishte ministre e mjedisit: Merkel thoshte se njerëzit shihnin këpucët në vend që të dëgjonin atë, kështu që hoqi veshjet nga ekuacioni.
Jeta familjare e Merkelit me bashkëshortin e saj të dytë, Joachim Sauer, është gjithashtu tmerrësisht private dhe është paraqitur në mënyrë të tillë, që të mos meritojë ndonjë vëmendje. Sauer, me të cilin u martua në vitin 1998, është profesor i kimisë fizike dhe teorike që punon në Universitetin Humboldt në Berlin. Merkelit i pëlqen të gatuajë në shtëpi dhe nganjëherë “hidhet” në supermarketet lokale të Berlinit. Vendasit e lënë të qetë, tregtarët zakonisht refuzojnë të thonë se çfarë ka blerë.
Mediat perëndimore shpesh e paraqesin Merkelin në rolin e liberales që anon majtas, edhe pse partia e saj, CDU, është parti e qendrës së djathtë. Vendimi i saj që Gjermania që të pranonte mbi një milion refugjatë në kulmin e krizës së emigrantëve në vitin 2015, ndihmoi që shumë njerëz ta konsideronin një heroinë liberale. Shumë besuan se ishim duke parë një Merkel të re, më emocionale, që do të dilte në pah për vlerat e saj humanitare. Ajo madje u propozua për një Çmim Nobël për Paqen, edhe pse prapa dyerve të mbyllura thuhet se u lehtësua që nuk e fitoi.
Kështu, mund të duket kontradiktore që në vitin 2010 ajo deklaroi se multikulturalizmi në Gjermani kishte “dështuar krejtësisht”. Ajo gjithashtu refuzon ta identifikojë veten e saj si feministe dhe votoi kundër martesës brenda të njëjtës gjini këtë vit, sepse për të ajo ishte jokushtetuese.
Kriza e refugjatëve ishte e vetmja kohë që Merkel rrezikoi mirëqenien e saj politike, por sërish i duhej ta bënte. Mijëra refugjatë të kthyer në kufirin gjerman do të kishin qenë një katastrofë politike për të. Që atëherë, përball një vërshimi kritikash, ajo ka thënë se një fluks i tillë kurrë nuk mund të lejohet të ndodhë përsëri. Dhe, po ndërmerr hapa për t’u siguruar që nuk do të ndodhë.
Vitin e kaluar ajo orientoi një marrëveshje midis BE-së dhe Turqisë, në të cilën Turqia do të merrte miliarda në ndihma, në këmbim të frenimit të migrantëve që të kalojnë detin drejt Greqisë. Grupet e të drejtave të njeriut e sulmuan marrëveshjen si joetike, duke thënë se Turqia po i detyronte sirianët të kalonin kufirin në vendin e tyre të rrezikshëm. Por, për Merkelin, politikisht, kjo marrëveshje, së bashku me mbylljen e “itinerarit të Ballkanit” në Evropë, gjithashtu qetësoi një rebelim të madh në radhët e partisë së saj, që pothuaj rrezikoi ta rrëzonte kancelaren.
Një pragmatiste e ftohtë dhe me një mendje prej shkencëtareje analitike, Merkeli ka zhvilluar një stil lidershipi që ka merituar foljen e vet: “Merkeln”. Kjo do të thotë të fillosh rrugën, përpara se të marrësh një vendim të fortë. Por, kjo qasje e pritjes për të parë dhe aftësia e mprehtë për të nuhatur humorin e kombit, i ka bërë punë gjatë 12 viteve të fundit.
Në një intervistë të fundit në podium në një aktivitet të Handelsblatt, Merkel tha: “Asnjëherë mos u mundoni të ndryshoni mendjen e partnerit tuaj negociues… por, gjeni dhe shfrytëzoni hapësirën e luhatjeve, brenda mendimeve të tyre”.
“Durimi është sekreti i suksesit të Merkelit”, thotë Ralph Bollmann, autor i “Gjermanët, Angela Merkel dhe ne”. “Ajo është shumë më e durueshme se çdo politikan tjetër në Gjermani, në Evropë, në botë”.
Ajo ka një zakon që ua heq rivalëve nga duart butonin e çështjeve të nxehta. Gjatë kësaj fushate zgjedhore, rrëmbeu martesën e homoseksualëve nga socialdemokratët, rivalët e saj më të afërt, duke deklaruar papritur se duhet të hidhet në një votim parlamentar të ndërgjegjes dhe më pas i mbajti fort pas vetes konservatorët, duke votuar kundër saj.
Kancelarja komplekse është një mjeshtre në përmbysjen e drejtimit. Ajo ka bërë një numër të madh kthesash të forta gjatë 12 vjetëve të saj në krye të qeverisë, ndoshta një arsye thelbësore për kontrollin e fortë të pushtetit.
Ajo ishte pro energjisë bërthamore dhe pastaj papritmas, pas katastrofës nukleare të Fukushimës, vendosi që Gjermania duhet të eliminojë energjinë bërthamore deri në vitin 2022. Ajo u kundërvu ndaj hedhjes së më shumë parave të shpëtimit për Greqinë, pastaj vendosi që Greqisë duhet t’i jepen më shumë para. Ajo tha se pushtimi i Irakut ishte i pashmangshëm në vitin 2003, por në vitin 2016 tha se ajo “nuk e mbështeste luftën në Irak”.
“Një lëmsh me kontradikta është një mënyrë për ta përshkruar, krejtësisht pa parime, do të ishte një mënyrë tjetër”, tha Hans Kundnani, studiues në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. Ai e sheh pikëpamjen e Merkelit si udhëheqëse e botës së lirë, si pjesë e një tendence më të gjerë drejt “personalizimit të politikës ndërkombëtare, që nga zgjedhja e Trumpit”.
Etiketimi i Merkelit si udhëheqësja e re e botës së lirë mund të jetë i kuptueshëm në epokën e Brexit-it dhe Trumpit, por nuk arrin të marrë parasysh gjërat më pak të mëdha që kanë ndodhur në kohën e saj. Skandali i emetimeve të Volksvagen, më i madhi në historinë e kohëve të fundit të korporatës gjermane, nuk u zbulua nga mbikëqyrësit gjermanë, por nga SHBA-të. Zbulimet e fundit që jo vetëm Volksvagen, por të gjithë gjigantët kryesorë të automobilave të Gjermanisë, kishin “ndrequr” emetimet e veturave të tyre, përsëri ka tërhequr vëmendjen, se sa e afruar është qeveria e saj, me industrinë e automobilëve në vend.
Po kështu, në temën e mjedisit, Merkel është quajtur “kancelarja e klimës” për mënyrën se si e ka udhëhequr tranzicionin e Gjermanisë drejt energjive të rinovueshme, “Energievende”. Megjithatë, vendi nuk do të arrijë objektivin e vet për të ulur emetimet e gazrave serrë me 40 për qind deri në vitin 2020, fal kryesisht mbështetjes së saj të madhe ndaj linjitit dhe një industrie makinash që ka qenë qëllimisht e ngadaltë dhe arrogante, në zhvillimin e makinave elektrike.
Fjala “enigma” duket se është e duhura për të përshkruar Merkelin. Por, po kështu do të ishin edhe fjalët makiaveliste, pragmatiste, e paparashikueshme.
“Gjëja më e jashtëzakonshme për Merkelin është se… nuk e dimë aspak se cila është ajo. Ajo është tërësisht e paqartë”, thotë Kundnani. “Ajo ka një numër të vogël njerëzish rreth vetes, të cilëve u beson… dhe, kur këta njerëz flasin për mediat, ata ju tregojnë se çfarë duan që ju të mendoni për Merkelin, jo atë që ajo mendon”.
Sa për atë që Merkel dëshiron, ëndrrat e saj? “Unë besoj se ëndrra e saj personale u bë realitet me rënien e Murit të Berlinit, që ka të bëjë me lirinë”, thotë Kardeks Josef Janning, drejtor i Këshillit Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë. “Nëse rritesh nën kufizimet e sundimit komunist, veçanërisht të tipit të RDGJ, atëherë në thelb ke parë realizimin e ëndrrës më të madhe politike të jetës. Pas asaj, nuk ka asnjë tjetër”. /Quartz/përgatitur në shqip nga: bota.al/