Site icon Telegrafi

Pozoi me fanellën e Flamengos dhe të gjitha detajet ishin finalizuar – si ia dështoi Shanghai Port transferimin në vendlindje Oscarit

Ish-mesfushori i Chelseat, Oscar thuhet se është “i bllokuar në Kinë” pasi klubi i tij, Shanghai Port, bllokoi transferimin e tij të ëndrrave në Brazil.

Ai ka luajtur në ligën kineze që nga janari 2017, kur ai ishte një nga shumë lojtarë e joshur nga mega pagat që ofroheshin atje.

Hulk, Renato Augusto, Carlos Tevez, Ezequiel Lavezzi, Axel Witsel dhe Paulinho janë vetëm disa nga yjet që shkuan për të luajtur në CSL.

Lexo po ashtu Lavezzi kryeson listën e 10 lojtarëve më të paguar në historinë e Superligës Kineze, paga ishte e çmendur

Pas pesë vitesh e gjysmë dhe Oscar, pasi përfundoi një transferim prej 65 milionë euro në moshën 25-vjeçare, ka shënuar 51 gola në të gjitha garat.

Ai gjithashtu fitoi ligën në vitin 2018, por ishte vendosur të transferohej te Flamengo. Oscar madje kishte pozuar me fanellën e klubit dhe ishte në pritje të detajeve përfundimtare për të bërë lëvizjen, ku do të ribashkohej me bashkatdhetarët si David Luiz dhe Filipe Luis.

Sipas The Mirror, Oscar ra dakord për kushtet me Flamengon dhe u kthye në Brazil – duke pasur leje për ta bërë këtë për arsye personale.

Por, klubi i tij, i cili më parë njihej si Shanghai SIPG, nuk e miratoi marrëveshjen dhe refuzoi të nënshkruante dokumentet e nevojshme.

Edhe një marrëveshje huazimi nuk u lejua dhe kështu Oscar, pavarësisht se dëshiron një sfidë të re, ka mbetur “i bllokuar”.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë për dashurinë dhe mesazhet e marra muajin e fundit, veçanërisht nga të gjithë fansat e Flamengos”, ka shkruar Oscar në rrjetet sociale.

“E vlerësoj interesimin e Flamengos dhe tifozëve, por nuk ishte e mundur të bëhej në atë moment. I uroj klubit fat dhe të gjithë miqve që kam atje për pjesën tjetër të këtij sezoni. Ju faleminderit të gjithëve!”.

Kur u transferua në Kinë, Oscar mori shumë kritika për vendimin e tij, të cilin shumë e konsideruan të motivuar nga paratë. /Telegrafi/

Exit mobile version