Kalimi i Jahmir Hykës në Izrael te Maccabi Netanya ka krijuar polemika të shumta në shtetin hebre për disa foto të shpërndara në rrjetet sociale nga futbollisti i kombëtares shqiptare.
Bëhet fjalë për foto që lidhen me luftën në Siri apo Palestinë, dy vende me popullsi myslimane, besim të cilit i përket dhe vetë futbollisti i kombëtares shqiptare.
Për këtë arsye, tashmë që futbollisti ka firmosur për ekipin izraelit, fansat ia kanë rikthyer në kujtesë.
Hyka i cili firmosi për një vit e gjysmë me klubin izraelit është kritikuar nga tifozët e Maccabi Netanya, megjithatë vetë Hyka me një letër drejtuar tifozëve të skuadra së tij të re në Instagram ka sqaruar gjithçka.
“Të dashur tifozë të Maccabi Netanya! Do të doja të qartësoja diçka. Unë nuk kam asgjë kundër Izraelit apo popullit të tij”.
“Në fakt, në udhëtimet e mia të shumta në Izrael si pjesë e ekipit kombëtar, kam pasur përvoja shumë të mira dhe jam kënaqur gjatë qëndrimit tim të shkurtër këtu”.
“Unë jam kundër luftës që merr jetën e njerëzve të pafajshëm në të dy anët. Unë dua të kërkoj falej nëse fotot që kam postuar shumë vite më parë kanë ofenduar këdo, ky nuk ka qenë qëllimi im”.
” Në vendin tim ne kemi shumë respekt për popullin hebre dhe në Luftën e Dytë Botërore, kemi ndihmuar në shpëtimin e popullit hebre nga holokausti”.
“Unë jam shumë i emocionuar që do të vij në Izrael, të mësoj më shumë për vendin tuaj dhe më e rëndësishmja të ndihmoj Maccabi Netanya, që të arrijë objektivat dhe t`i bëjë tifozët të lumtur”, shkruan ndër të tjera Hyka. /ss/