Site icon Telegrafi

Poshtë varrit të Skënderbeut në Lezhë, fshihet një tjetër sarkofag

Të shumtë janë vizitorët dhe turistët që ndërsa kanë vizituar vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë, nuk e kanë ditur se poshtë këmbëve të tyre fshihet edhe një tjetër thesar i çmuar. Madje, as ciceronët nuk e përmendin një fakt të tillë.

Kapaku në mes të katedrales së Shën Nikollit nuk hapet prej vitesh duke mbajtur të fshehur pjesë të historisë. As lezhjanët nuk e dinë se çfarë ndodhet dy metër poshtë vendit ku janë vendosur imitimet e përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut.

Këtë e thotë specialisti i monumenteve të kulturës, Dedë Margjoni. Ai shpjegon se ekzistojnë dyshime se krahas strukturës që është e punuar me një nivel të lartë artistik, i fshehur mund të jetë edhe një sarkofag. Hapja dhe ekspozimi i këtij zbulimi të madh do të ishte një tjetër tërheqje për vizitorët dhe turistët.

Margjoni ka edhe sugjerimet e tij sesi mund te realizohet ky qëllim. Burime nga Bashkia e Lezhës kanë bërë të ditur se do të kërkohet bashkëpunimi me institutin e arkeologjisë që ky vend të hapet dhe të jetë i vizitueshëm.

Për këtë veçori që fsheh vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë flet edhe ish-çërgjegjësi i Kulturës Kombëtarë në Lezhë, historiani Paulin Zefi. Sipas tij, në vitet 1978-1981, gjatë procesit të punimeve që u zhvilluan tek Katedralja e Shën Nikollit (cendvarrimi i Skënderbeut) nga ana e specialistëve të “Ateliesë së Monumenteve të Kulturës” në Tiranë, përveç zbulimit të themeleve të mureve perimetrale të këtij objekti, stratigrafia e pasur antike dhe mesjetare, heqja e suvatimit, zbulimi i rrugës antike Iliro-Romake dhe të tjera gjetje, është zbuluar edhe një Kriptë (varr i nëndheshëm). Gërmimet arkeologjike dhe ndërhyrjet e tjera strukturore nxorën në dritë muraturën origjinale që i përket fazave të para ndërtimore deri në shekullit XV-të.

Gjatë gërmimeve në hapësirën e brendshme të Katedrales së Shën Nikollit, pranë vendit ku ndodhej altari (i shkatërruar nga osmanët), u zbulua varri i fshehte dhe një sarkofag prej guri gëlqeror i punuar sipas tipologjisë së sarkofagëve të periudhës së mesjetës. Ky sarkofag ishte i mbuluar nga një material me trashësi rreth 1.8 metra në raport me nivelin e dyshemesë së Kishës. Ai rezultoi të ishte bosh, pra pa asnjë fragment kocke apo relike të tjera. Pozicionimi i sarkofagut nuk ishte sipas aksit të Kishës, lindje-perëndim, por pak i devijuar në aksin veriperëndim-juglindje. Mendohet se gjatë gërmimit brutal (1478) ka pësuar edhe dëmtime të ndryshme.

Specialistët vendosen që pikërisht mbi vendin ku u zbulua ky sarkofag, të vendosej pllaka prej mermeri, përkrenarja dhe shpata ceremoniale prej bronzi (sipas modelit origjinal). Struktura që shohim sot përfaqëson varrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, por realisht ndodhet dy metra mbi sarkofagun e zbrazët dhe kriptën e këtij objekti religjioz.

Rikonceptimi i këtij varri simbolik, rihapja e kriptës së Kishës dhe ekspozimi i sarkofagut duke nxjerrë në pah varrin e vërtetë që vazhdon të qëndrojë i fshehur poshtë një kapaku prej betoni, do t’i jepte edhe më shumë vlera këtij vendi të shenjtë për shqiptarët. /shqiperiaime/

Exit mobile version