Telegrafi

Portugalia mposht me rezultat të thellë Bosnjën e Hercegovinën

Portugalia ka fituar 5-0 ndaj Bosnjës e Hercegovinës në kuadër të kualifikimeve në Euro 2024.

Pas vetëm pesë minutash lojë, Cristiano Ronaldo i kaloi portugezët në epërsi nga penalltia.

Ylli i Al Nassr e realizoi edhe të dytin, kur u asistua prej Joao Felix në minutën e 25-të.

Tre minuta më vonë Bruno Fernandez e shënoi të tretin, ndërsa Goncalo Inacio ishte ën rolin e asistuesit.

Për 4-0 u përkujdes Joao Cancelo (32’), ndërsa ylli i Manchester United ishte asistuesi.

Joa Felix e realizoi golin e pestë, ndërsa Otavio e gjeti në mënyrë perfekte kur asistoi në minutën e 41-të.

Pjesa e dytë ishte për çudi tejet e qetë, duke mos u realizuar asnjë rast serioz për gol.

Portugalia ia doli të kishte sërish kontrollin, mirëpo u mungoi konkretizimi i rasteve, duke e mbyllur këtë ndeshje me rezultatin e thellë të pjesës së parë.

Portugalia e ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani, pasi ka 24 pikë, Sllovakia me 16, Luksemburgu me 11, Islanda me 10, BeH me nëntë dhe Lihtenshtajni pa asnjë. /Telegrafi/