Portugalia merr sot nga Gjermania presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Nën flamurin “Koha për të dhënë: një rigjenerim të drejtë, të gjelbër dhe digjital”, gjatë presidencës së saj Portugalia ka në plan të përqendrohet në zbatimin e qëllimeve të paketës së ndihmës shumë miliardë eurosh kundër COVID-19 të Bashkimit Evropian.
“Është një nder dhe një përgjegjësi e madhe të marrësh drejtimin nga Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel”, shkroi kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa në Twitter.
Kjo është hera e katërt që vendi merr presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Disa sfida të vështira priten këtë herë, përfshirë adresimin e pasojave të pandemisë.
Portugalia do të trajtojë gjithashtu propozimin e Komisionit Evropian për një politikë të përbashkët migrimi.
”Një fokus i mëtejshëm do të jetë forcimi i marrëdhënies së bllokut me Afrikën”, sipas zyrtarëve portugezë.
Pas Portugalisë, këtë presidencë do ta marrë Sllovenia.