Site icon Telegrafi

“Portokalli” u kërkon falje myslimanëve

Spektakli “Portokalli” në Top Channel në edicionin e dy javëve më parë, në një prej pjesëve të saj, në baletin alternativ, ka luajtur një pjesë koreografike ku ishte edhe një pjesë e ezanit.

Kjo ka indinjuar besimtarët myslimanë dhe institucionin zyrtar të përfaqësimit të tyre, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Këta të fundit, sipas burimeve të portalit Albeu, kanë kërkuar takim me drejtues të programit, dhe pas takimit të bërë është rënë dakord për respektim të ndjeshmërisë së besimtarëve mysliman ndërsa drejtues të “Portokallisë” kanë shprehur keqardhje për këtë lëshim të pa qëllimtë.

Ashtu edhe siç ishte biseduar, me mirëkuptim, të dielën e fundit gjatë emisionit “Portokalli” është kërkuar falje nga besimtarët myslimanë për indinjatën e shkaktuar në emisionin paraardhës, duke heq edhe videon në fjalë nga Youtube.

Akti i këtillë i emisionit “Portokalli” dhe regjisorit Altin Basha është përshëndetur dhe mirëpritur në rrjetet sociale pasi është një akt që dëshmon profesionalizëm dhe i shërben frymës së mirëkuptimit dhe tolerancës ndërfetare dhe respektimit të së shenjtës të atyre që besojnë. /albeu

Exit mobile version