Site icon Telegrafi

Porsche tërhiqet nga Formula 1

Porsche ka shkëputur lidhjet me Red Bull Racing dhe ka ndërprerë planet për bashkëpunim me kampionat e botës në Formula 1.

Negociatat në mes të prodhuesit gjerman të veturave sportive dhe ekipit të Grand Prix në pronësi austriake raportohet se kanë dështuar për shkak të konflikteve të mundshme në kulturat e tyre, pavarësisht planeve të avancuara të Porsche për të marrë një pjesë të madhe në ekip dhe të sigurojë motorë nga viti 2026.

Kompania ëmë – gjiganti Volkswagen Group – do të vazhdojë të jetë i përfshirë në Formula 1, pasi që Audi po futet në garat e Grand Prix dhe do ta zëvendësojë Alfa Romeo-n tek ekipi zviceran Sauber, me programin e tij të motorit të prodhuar në Gjermani për rregulloret e reja që fillojnë nga viti 2026, raporton Drive, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu ekziston një mundësi shumë e vogël që Porsche të zhvillojë një plan të ri me një ekip tjetër – me thashethemet në pit-lane që i lidhin ata me McLaren ose me ardhësin e ri tek Formula 1, Michael Andretti, garuesi kampion amerikan dhe pronar i suksesshëm në ekipin IndyCar në SHBA.

Lajmi për ndarjen në mes të Porsche dhe Red Bull Racing erdhi pak para Grand Prix në Itali në pistën e Monza-s, me një deklaratë të shkurtër të bërë nga prodhuesi i veturave.

“Gjatë muajve të fundit Porsche dhe Red Bull kanë mbajtur biseda në lidhje me mundësinë e hyrjes së Porsche në Formula 1. Të dy kompanitë tani së bashku kanë arritur në përfundim se këto biseda nuk do të vazhdojnë më”, tha Porsche në deklaratën e saj zyrtare. /Telegrafi/

Exit mobile version