Një person me inicialet B.G. është ndaluar nga policia në Gjilan nën dyshimin se ka porositur 300 gram substancë narkotike përmes postës së shpejtë nga Gjermania.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit, me ç’rast kanë njoftuar se i dyshuari është ndaluar nga Departamenti për Krime të Rënda në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari B.G., nga Gjilani, përmes postës së shpejtë, ka porositur substanca narkotike, nga Gjermania, me ç’rast gjatë vlerësimit nga ana e zyrtarëve doganor është dyshuar se në pako gjendet substancë narkotike, e që ka rezultuar të jetë e llojit ‘’Amfetaminë’’ në peshë prej 300 gram, e cila është konfiskuar nga policia dhe dyshohet që i njëjti e ka porositur me qëllim shitjeje”, thuhet në njoftimin e policisë, përcjell Telegrafi.
Pas ndalimit në polici, të dyshuarit i është bastisur shtëpia, në të cilën është gjetur një armë zjarri të cilën, sipas policisë, i dyshuari po e mbante pa leje.
Policia ka njoftuar që prokuroria do të paraqesë kërkesë që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh me qëllim të parandalimit të ikjes së të dyshuarit, fshehjes së provave apo edhe ndikimit te dëshmitarët.