Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci ka deklaruar se mosakreditimi i tri universiteteve publike dhe disa kolegjeve për një vit, është mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojë t’i përmbushin standardet e cilësisë, derisa ka shtuar se disa nga politikanët kanë interesa biznesore në këto institucione arsimore, e të cilët kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë.
Popovci duke komentuar vendimin e Këshillit të Cilësisë, ka thënë se nuk është befasuar pasi ka qenë një numër i konsiderueshëm i institucioneve te arsimit të lartë kanë probleme me përmbushjen e standardeve të caktuar.
Ai tha se në Këshillin e Cilësisë ka nis një vendimmarrje e pavarur dhe morri vendimin për mosakreditimin e tri universitete publike dhe disa kolegje.
“Konsideroj se ky vendim bazohet në mendimet e dhëna nga ekspertët, tani po e kuptojmë se nuk paskan qenë ekspertët e njëjtë në të gjitha institucionet përkundër asaj që u mendua në fillim, pra kjo ia shton krebilitetin të vendimeve sepse nuk mund të flitet për anshmëri të dy apo tre personave, por flitet për kritere më stërkit të cilat ka kohë që janë përcaktuar dhe tani këto institucione e kanë një vit që t’i adresojnë vërejtjet, pastaj vjen akreditimi i dytë dhe nëse ndodhë që edhe një herë ato të mos akreditohen, atëherë sipas ligjit ato duhet të mbyllen “, ka thënë ai.
Ai në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se institucioneve të paakredituara iu është refuzuar akreditimi për një vit, që do të thotë se studentët ekzistues mund të vazhdojnë studimet por ato institucione nuk mund të regjistrojnë student brenda këtij viti
“Ky është një mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojë t’i përmbushin standardet e cilësisë edhe në ato fusha ku konsiderojnë që e kanë të vështirë ta bëjnë një gjë të tillë sepse jemi pjesë e një hapësire evropiane të arsimit të lartë dhe Kosova nuk mund përjetësisht të veçohet nga të tjerët“, tha ai, derisa flet edhe për anëtarët e Këshillit të cilësisë.
“Po për asnjërin nuk mendoj ë është mafioz, domethënë asnjëri nuk ka një biografi të tillë të mund të etiketohet si mafiozë. Tani nga janë të orientuar politikisht unë nuk e di, por nuk shoh që ndonjëri prej tyre ka interesa biznesore në ndonjërin prej institucioneve private ose publike siç sugjerohet. Nga ana tjerët ne në politikë kemi njerëz që kanë interesa biznesore e të cilët kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë“, tha ai.
Popovci duke komentuar deklaratat e ministrit të Arsimit, Shyqeri Bytyqi për anëtarët e Këshillit, ka thënë se nuk sheh që ka konflikt interesi, por nëse ka ekziston rruga juridike.
“Këshillit Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur, domethënë aty nuk duhet të ndërhyjë as ministria, as Qeveria, as Kuvendi sepse ai organ është zgjedhur për të marrë vendime në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike dhe normalisht çdo shtet ka politika arsimore dhe në kuadër të këtyre politikave do të pritej që ministria t’i ndihmojë universiteteve që të arrijnë standardet, respektivisht para se të vije procesi i akreditimit institucional, të kontrollojë a i plotësojnë të gjitha kushtet, a kanë nevojë për ndonjë ndihmë shtesë, kur të merret vendimi atëherë është e kotë, të ndërhysh në punët e një organi të pavarur është si të ndërhysh në punën e gjykatave tash”, tha ai.
Sipas tij, një ndërhyrje në vitin 2017, ka kushtuar me përjashtim nga EQAR-i dhe me degradim të statusit të Agjencisë në ENKA, nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën vëzhgim dhe është në proces të vlerësimit.
Ai ka shtuar se ENKA e ka sjellë një raport preliminar, pa rekomandim, ku ka edhe pika kritike ka edhe lëvdata për këto veprime dhe në shtator ENCA do ta merr vendim nëse Agjencia e Akreditimit do të jetë edhe më tutje anëtare e ENCA-s, derisa beson që çdo ndërhyrje politike që e cenon pavarësinë e Agjencisë do të rezultojë me marrjen e vendimit për përjashtim nga ENKA, dhe kjo faktikisht sjell izolimin e arsimit të lartë të Kosovës nga arsimi i lartë në Evropë.
Kurse, pati disa kritika edhe për testin e diturisë.
“Aty ka pas jashtëzakonisht shumë gabime dhe kanë qenë pyetje të cilat ndonjëherë i kanë pas nga dy tri përgjigje të sakta, ndonjëherë nuk e kanë pas asnjë përgjigje të saktë, pra nuk ka pas përgatitje të duhura dhe kjo e ka kompromituar këtë proces dhe në fund nuk ka dal një test i njohurisë por ka dal një test sa për të treguar se ekziston një institucion i cili quhet koordinator për arsim, kulturë e ku ta di unë dhe se ai institucion punon diçka nëpër shkolla, pra thjesht nuk e shoh dobinë e atij testi“, tha ai.
Popovci ka thënë se nuk është bërë ndonjë analizë e thellë e tregut të punës, për t’i orientuar pastaj studentët por rreth një e treta e rreth 120 mijë studentëve studiojnë juridikun dhe ekonomikun.
Pagat e arsimit në Kosovë, sipas tij, janë më të larta në rajon dhe vendi jonë nuk e ka mundësin për këso pagash, pasi mbi 85 përqind e buxhetit për arsim parauniversitar shkon për paga të mësimdhënësve dhe çka mbetet për shkolla. Ngritja e pagave, sipas tij, nuk ndikoi në ngritjen e cilësisë pasi nuk është ndërlidh me asnjë lloj kërkese për përgjegjësi shtesë.