Ministri për Punë të Jashtme maqedonas Nikolla Poposki, prej sot do të jetë i pranishëm për vizitë zyrtare në Iran, ku do të takohet me homologun e tij iranian, Xhavad Zarif, presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, Presidentin e Parlamentit të Iranit Ali Larixhani dhe Ministrin e Kulturës Ali Xhanati. Gjatë vizitës, është planifikuar të mbahet forumi i biznesit maqedonas-iranian, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Para vizitës në Iran, ministri Poposki nga mbledhja e ministrave në Selanik, u është përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve bullgar dhe porositi se në samitin e Varshavës është joreale që në këtë moment të flitet për ftesën e anëtarësimit të NATO-s.
“Unë nuk mund të them nëse do të presim ose nuk presim (ftesë për anëtarësim në NATO), sepse është një vendim i vendeve anëtare të NATO-s, dhe jo Maqedonisë. Në lidhje me NATO-n, ka një vendim që nga viti 2008 ku qartësisht është konstatuar në mënyrë të qartë se e vetmja pengesë për mos anëtarësimin e Maqedonisë në NATO është kontesti me emrin nga ana e Greqisë, dhe më pas në vitin 2011 kemi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila thotë se vendimi nuk është e ligjshëm. Çdo gjë që ndodh është vullneti i vendeve të NATO-s dhe kjo vlen edhe për samitin e Varshavës, por dhe çdo samit tjetër që mund të ndodhë “, tha Poposki, duke shtuar se në këtë pikë nuk ka përshtypje se ekziston një gatishmëri e palës greke të ndodhë anëtarësimi i Maqedonisë në NATO në Samitin e Varshavës. /Telegrafi/