Site icon Telegrafi

Ponte Prizreni mbyll garat me fitore dhe si lider në Superligë

Në një ndeshje mjaft interesante, Ponte Prizreni ka shënuar fitore ndaj Trepçës me shifrat 106:101 (27:31, 29:16, 26:22, 24:32), në kuadër të javës së 28-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, mitrovicasit e nisën më mirë periudhën e parë, por në fund e përfunduan me katër pikë dallim, 27:31.

Dy minuta pasi filloi perioda e dytë, mitrovicasit ishin në epërsi 35:36, por më pas prizrenasit me një seri prej 13:0, krijuan epërsinë më të lartë në pjesën e parë 48:36, derisa shkuan në pushim me shifrat 56:47.

Ponte e nisi mirë periudhën e tretë me një seri prej 7:0, duke pasur epërsi deri në 18 pikë, 65:47.

Trepça nuk dorëzohet dhe ngushton shifrat paksa, edhe pse vendasit menaxhuan mirë lojën, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 82:69.

Asgjë nuk kishte përfunduar dhe në 10 minutat e fundit zhvillohet lojë interesante, ku Trepça jep maksimumin, por vetëm afron shifrat në 105:101, 21 sekonda nga fundi, pa mundur të bëjë më shumë dhe Ponte Prizreni triumfon në fund 106:101.

Te Ponte Prizreni u dalluan Josh Martin me 21 pikë e 18 kërcime, Urim Zenelaj me 12 pikë e 13 kërcime, Kwame Vaughn me 25 pikë dhe Landon Taliaferro me 24, kurse te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 28 pikë, 11 kërcime e 9 asistime, Stavros Toutzaiarkis me 18 pikë e 12 kërcime dhe Burim Zekiqi me 18 pikë.

Ponte Prizreni përfundon garat në vendin e parë me 20 fitore dhe 8 humbje, kurse Trepça me 11 fitore dhe 17 humbje, derisa fati i saj varet nga ndeshja Sigal Prishtina-Bashkimi që ka filluar nga ora 19:00.

Exit mobile version