Kryeministri polak, Donald Tusk, ka njoftuar se Polonia po fillon punën për forcimin e mëtejshëm të kufirit lindor, pasi vendi po përballet me atë që ai e quajti “luftë hibride” në rritje si shkak i migrimit të paligjshëm nga Bjellorusia.
Tusk nuk dha detaje në lidhje me veprimet e planifikuara, e as në lidhje me fondet që do të ndahen, por tha se “kur bëhet fjalë për sigurinë e Polonisë nuk do të ketë kufizime”.
“Kufiri Poloni-Bjellorusi është një vend unik për shkak të presionit të emigracionit të paligjshëm. Në fakt, kemi të bëjmë me një luftë hibride që po përparon”, tha kryeministri teksa vizitoi kufirin.
Edhe qeveria e mëparshme polake dhe BE-ja akuzuan Bjellorusinë në vitin 2021 për organizimin e një fluksi emigrantësh, gjë që u mohua nga bjellorusët.
Që atëherë, përpjekjet për të kaluar kufirin kanë vazhduar, me shifra të ndryshme varësisht prej motit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Rojet kufitare polake kanë raportuar se aktualisht ka rreth 300 përpjekje në ditë për ta kaluar kufirin ilegalisht.
Ndryshe, marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje janë tensionuar më shumë nga pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës.
Qeveria e mëparshme ndërtoi një gardh në kufi që ishte mbi 180 kilometra i gjatë dhe 5,5 metra i lartë, për t’u mbrojtur nga migrimi i paligjshëm.
Ai plotësohej nga një sistem kamerash dhe sensorësh që monitoronin kufirin.
Ndërkohë, Tusk tha se fortifikimet e reja do të jenë përgjatë “të gjithë kufirit lindor”, i cili mund të përfshijë edhe Rusinë dhe Ukrainën.
“Nuk është vetëm kufiri i brendshëm i Polonisë, por edhe kufiri i BE-së. Prandaj, nuk kam dyshim se e gjithë Evropa do të duhet të investojë në sigurinë e saj duke investuar në kufirin lindor të Polonisë dhe në sigurinë tonë”, tha Tusk. /Telegrafi/