Site icon Telegrafi

Politikat përafruese ndaj shqiptarëve, të Sulltan Abdylhamitit II

Nga: Agron Islami

Për Perandorinë Osmane, viset shqiptare kishin rëndësi të veçantë strategjike, aq më shumë kur populli shqiptare – qysh nga fillimet e sistemit osman – ishte integruar në këtë sistem perandorak. Po ashtu, dihet se elementi shqiptar, në administratën osmane, ishte i madh dhe i larmishëm. Shqiptarët i gjejmë nga pozitat nga më të ulëtat e deri tek ato më lartat të Sadriazamit. Madje, sadriazamët nga familja e Kyprylynjëve – të cilët udhëhoqën me perandorinë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVII, respektivisht gjatë viteve 1656-1703 – bënë që të rimëkëmbet Perandoria. Po për këtë, pjesa më e madhe e historianëve bashkëkohorë të periudhës osmane, konsiderojnë se Perandoria Osmane mundi të mbijetojë falë riorganizimit dhe reformave që bënë Mehmed Qypryliu dhe djali i tij Fazël Ahmed Qypryliu. Krahas tyre mund të përmenden edhe Mustafa Bej Koçi nga Korça, i cili e hartoi raportin e njohur vlerësues në sistemin osman.

Këto vise u bënë edhe më të rëndësishme gjatë periudhës së luftërave osmane kundër austro-hungarezëve, dhe sidomos kundër rusëve që u karakterizuan me humbje territoresh dhe me valën e madhe të muhaxhirëve të ikur nga viset e pushtuara nga këta të fundit.

Si rezultat i humbjes së trojeve – duke filluar që nga fundshekulli XVII, e sidomos gna humbja e viseve në zonën lindore të Vilajetit të Kosovës gjatë shekullit XIX në luftërat me rusët – shqiptarët dhe pjesa e mbetur e Vilajetit të Kosovës luanin rolin e viseve kufitare të Perandorisë në Rumeli, respektivisht në viset evropiane.

Sulltan Abdylhamiti II shqiptarët i kishte çmuar për trimërinë dhe besnikërinë që kishin treguar ndaj tij. Ndaj, të rinjve shqiptarë ua kishte besuar sigurimin e sarajit. Po ashtu, në hapësirat e sarajit e themeloi edhe Zyrën e Shqipërisë që drejtohej nga Dervish Pasha. Në të njëjtën kohë, gjatë sundimit të vet, Ferid Pashës – i cili ishte me prejardhje nga Vlora – ia kishte besuar pozitën e sadriazamit.

Sekretari i Sulltan Abdylhamitit, Tahsin Pasha, në kujtimet e tij shkruan: “Sigurimi i Sarajit Yëlldëz i ishte besuar divizionit të përbërë nga shqiptarë, turq, arab e boshnjakë … por, shqiptarët, edhe për nga numri edhe për nga pesha, e zinin vendin e parë. Abdylhamiti nuk kishte as më të voglin dyshim në besnikërinë e shqiptarëve dhe ky besim i sulltanit ndaj shqiptarëve bëri që Aravutllukun ta shihte si bazament të politikave të tij në Rumeli. Por, edhe nga ana e shqiptarëve në Rumeli, sulltan Abdylhamiti respektohej … Shqiptarët kishin merita të larta, si kuadro ushtarakë, në veçanti në divizionin e pushkatarëve (tyfekçinjëve) të cilin e udhëhiqte Tahir Pasha … Këta e kishin përgjegjësinë e sigurimit të sarajit nga dera hyrëse e deri tek shtrati i Sulltanit”.

Sulltan Abdylhamiti, si udhëheqës pragmatist që ishte, karshi rrezikut të humbjes së territoreve në Rumeli – në veçanti pas luftës shkatërruese me Rusinë e cila përfundoi me marrëveshjen e Shën Stefanit – në fillim ishte neutral ndaj themelimit të Lidhjes së Prizrenit, me shpresën se ajo do të funksiononte si organizatë e cila do të do t’i mbronte tokat shqiptare nga pushtimi i huaj. Dhe, nuk ka dyshim se interesat e intelektualëve të lidhjes dhe të sulltanit osman përputheshin në çështjen e mbrojtjes së tokave. Prandaj, Abdylhamiti II ua kishte lëshuar një urdhër autoriteteve osmane lokale të Dibrës, Prizrenit, Gjakovës, e gjetiu, që të tregoheshin tolerantë ndaj nismave politike të intelektualëve shqiptarë.

Pas Kongresit të Berlinit, respektivisht me 25 gusht 1878, Mushiri Mehmet Ali Pasha, i cili kishte qenë edhe përfaqësues i Portës së Lartë në Kongresin e Berlinit, u dërgua në Prizren për të qetësuar shqiptarët e hidhëruar ndaj vendimeve të kongresit në fjalë. Por, kërkesat e tij që të kthehet ligji i vjetër në këto anë u konsideruan si tradhti dhe, më 6 shtator 1878, të vritet së bashku me nikoqirin e tij, Abdullah Pashë Drenin – i cili ishte edhe komandant i forcës ushtarake të Gjakovës.

Megjithatë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit sulltani do të shtypë pas kërcënimeve të fuqive evropiane se, në rast të mos dorëzimit të Ulqinit, ata do ta okuponin Izmirin. E, menjëherë pas kërcënimit në fjalë, më datë 11 nëntor 1880, Abdylhamiti ia dërgon një shkresë fuqive Evropiane ku i njofton për formimin e një divizioni të ri ushtarak që do t’ua dorëzojë malazezëve Ulqinin.

Në vijën e politikave përafruese ndaj shqiptarëve, Abdylhamiti i kishte shkolluar fëmijët e parisë shqiptare në mektebin Ashiret të cilin vet ai e kishte themeluar. Në raportin e inspektorit të kufirit me Serbinë, të datës 4 gusht 1902, thuhet: “Pranimi i dhjetë fëmijëve shqiptarë në mektebin Ashiret është mirëpritur, mirëpo kërkesat e shqiptarëve që t’i shkollojnë fëmijët e tyre me bursë në këtë shkollë janë shumë më të mëdha, ndaj sugjerojmë që kjo shifër të rritet të paktën edhe me 10 fëmijë tjerë”. Në të njëjtin vit e gjejmë një vendim të Ministrisë së Arsimit ku përmenden 20 fëmijë shqiptarë që do të shkollohen në Ashiret ku, sipas vendimit në fjalë, të gjitha shpenzimet e nxënësve do të mbuloheshin nga fondi i mektebit si dhe do t’u jepej bursa vjetore prej 64 mijë groshëve (kurushëve).

Sulltan Abdylhamiti, me qëllim të përafrimit me shqiptarët, në vitin 1892 themeloi komisione të veçanta për pajtimin e gjaqeve. Ky komision përmendet në salnamen e Shkodrës i cili quhet si dijet komisioni: “Në Shkodër dhe në rrethinë, në veçanti në zonën e Malësisë, edhe në ditët e sotme është evidente tradita e ngujimeve e cila është një sëmundje e trashëguar nga e kaluara dhe që bie ndesh me logjikën e shëndosh dhe me vetë civilizimin islam … vazhdimi i kësaj gjendje në mënyrë të prerë është i papranueshëm për Sulltanin dhe mbi këtë bazë, valiu i vilajetit, zotëriu Abdylkerim Pasha, kontribuoi shumë për zhdukjen e kësaj të keqeje njerëzore”.

Në vijën e pajtimit të shqiptarëve në gjak u dërguan urdhëresa tek ylemaja dhe paria vendore që të kontribuojnë në çrrënjosjen e këtij adeti të keq. Një shembull është edhe zgjedhja e një mosmarrëveshje mes myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë në Zym të Hassit.

Në të njëjtën kohë sulltani themeloi edhe komisionin e ligjëruesve myslimanë me qëllim të shpjegimit të vlerës së Halifes (Kalifit) tek besimtaret dhe, sipas një telegrafi të datës 12 prill 1901, raportohet se ylematë e Shkodrës ia kishin arritur mjaftë mirë të qetësojnë kundërshtarët e reformave të shtetit. Ndërsa, përzgjedhja e këtyre ligjëruesve ishte bërë me kujdes. Në shkresën e datës 21 qershor 1902, thuhet: “Aprovohet kërkesa për dërgimin e tre hatibëve (ligjërueseve) në Vilajetin e Kosovës. Këta, me gjuhën e rrjedhshme shqipe do t’ua shpjegojnë islamin e vërtetë malësorëve. Të njëjtit do të dërgohen edhe në Mat dhe në ‘Ngushtica?’ si dhe në Dibrën e Poshtme”.

Përderisa Sulltan Abdylhamiti hartonte politika dhe formonte komisione të veçanta për mbajtjen bashkë të shqiptarëve, të njëjtën këtë nuk e bënte për ortodoksët e Ballkanit. Kjo dëshmohen në kujtimet e sekretarit të tij, Tahsin Pasha, i cili thotë: “Synimi kryesor i politikës së jashtme të Abdylhamitit ishte që ta kontrollojë Rusinë, të qëndrojë në paqe me Anglinë, të mos ketë përplasje direkte me Gjermaninë, të mos harrojë që Maqedonia mund të jetë pre e Austrisë dhe aq sa është e mundur të kalojë mirë me shtetet tjera. Ndërsa, dëshironte që popujt ortodoksë të Ballkanit, respektivisht bullgarët, serbët dhe grekët, t’i mbajë të përçarë mes vete”.

_____________

Kumtesë e lexuar në konferencën shkencore: 140 vjetori i Lidhjes se Prizrenit, organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, Qendra për Studime Albanologjike – Tiranë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, më 10 qershor 2018 në Prizren. Po ashtu është lexuar në simpoziumin ndërkombetar “Sulltan Abdulhamit II’s Geostrategy and Heritage” na Ankara dhe është botuar në librin e kumtesave të simpoziumit në fjalë në Ankara – 2018, fq. 316-322.

Exit mobile version