Udhëheqësja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, ka sulmuar Karim Benzeman pasi futbollisti legjendar i dha mbështetje popullit të Gazës.
“Të gjitha lutjet tona për popullin e Gazës që janë edhe një herë viktima të këtyre bombardimeve të padrejta që nuk kursejnë gra e fëmijë”, shkroi Benzema në Tëitter dhe ky koment shkaktoi reagime të stuhishme nga politikanët francezë.
I pari që reagoi ishte ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin, i cili akuzoi Benzemën për lidhje me grupin e quajtur “Vëllazëria Myslimane” dhe që konsiderohet si organizatë terroriste në Francë, dhe pas kësaj, edhe politikania Valerie Boyer foli, duke shkuar aq larg sa kërkoi që Benzema t’i hiqej ‘Topi i Artë’ dhe shtetësia franceze.
Tani Le Pen, e cila u mund nga Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, i është bashkuar zërave kundër Benzemas. Politikania akuzoi Benzeman për mbështetjen e “islamizmit më radikal”.
“Ministri Darmanin nuk më dha informacion të saktë, por jam i sigurt se Benzema mbështet islamizmin më radikal, të cilin disa e quajnë fundamentalizëm islamik. Kjo është më se e qartë”, ka thënë Le Pen për RMC.
Benzema foli përmes avokatit të tij Hugues Vigier dhe tha se ai nuk mbështet Hamasin apo ndonjë terrorist, por u lut për civilët e pafajshëm, gratë dhe fëmijët që u ekspozuan ndaj granatimeve mizore.
Ministri Darmanin më pas tha se do të tërhiqte akuzat ndaj Bemzemës nëse futbollisti i njohur publikon një postim në Tëitter se mban zi për profesorin Dominique Bernard, i cili u vra shtatë ditë më parë në Arras nga një islamist radikal. /Telegrafi/