Site icon Telegrafi

Politikani britanik që u kap duke sajuar vdekjen e vet

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur John Stonehouse hartoi planin për t’u zhdukur plotësisht, ai ishte një njeri i trazuar. Karriera e tij politike ishte bllokuar, bizneset e tij të dyshimta e kishin lënë në prag të falimentimit, ndërsa akuzohej se ishte një spiun komunist dhe se kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me sekretaren e tij. Në një lëvizje të huazuar nga romani i Frederick Forsythit, Dita e Çakallit [The Day of the Jackal], Stonehouse vodhi identitetet e dy burrave të vdekur. Ai udhëtoi për një udhëtim pune në Majami, ku u zhduk në nëntor 1974, ndërsa më pas hipi në një aeroplan tjetër për në Australi. Mashtrimi zgjati pak më shumë se një muaj. Ishte aristokrati britanik, Lordi Lucan – një tjetër person famëkeq i arratisur, i cili u zhduk rreth të njëjtës kohë – ai që përfundimisht çoi në kapjen e Stonehouseit në Australi.

Dhe, si i shpjegoi Stonehouse veprimet e veta? Në janar 1975, deputeti britanik insistoi për BBC-në se ai ishte në një “turne për mbledhje faktesh, jo vetëm në aspektin gjeografik, por edhe për të eksploruar thellësitë e brendshme të një kafshe politike”.

Për publikun britanik në fund të viteve ’60 të shekullit XX, ai mund të dukej si një njeri që i kishte të gjitha. Drejtor i Përgjithshëm i Postës së Mbretërisë së Bashkuar që në moshën 43-vjeçare, kishte një grua të hijshme dhe tre fëmijë, ndërsa për të flitej si për një kryeministër të ardhshëm nga Partia Laburiste. Ai ishte njeriu që mbikëqyri lëshimin në qarkullim të pullave të klasit të parë dhe të dytë, por, për karrierën e tij politike, kjo ishte ndoshta arritja më e madhe.

Rënia e tij filloi kur, në vitin 1969, një dezertor nga Çekosllovakia komuniste pretendoi se shteti i tij e kishte rekrutuar atë deputet si informator. Stonehouse protestoi për pafajësinë e tij para kryeministrit Harold Wilson, i cili i besoi. Akuzat e tilla ishin të zakonshme gjatë Luftës së Ftohtë, por reputacioni politik i Stonehouseit u dëmtua. Kur Partia Laburiste humbi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1970, nuk kishte një vend për Stonehousein në radhët e opozitës. I zhgënjyer, ai vendosi t’i përkushtonte më shumë kohë interesave të tij biznesore në Londër – kryesisht shërbimeve të eksportit që ai kishte zhvilluar përmes lidhjeve ndërkombëtare.

Në vitin 1971, Lufta e Bangladeshit për pavarësi nga Pakistani e frymëzoi Stonehousein për një nxitje të re. Ai u përfshi emocionalisht në kauzën bengaleze, duke u bërë aq i njohur dhe i respektuar atje saqë, kur lufta përfundoi, si shenjë nderimi ai u shpall qytetar i shtetit të ri. Por, ky ishte vetëm fillimi.

Atij iu kërkua të ndihmonte në krijimin e Trustit Britanik të Bangladeshit, një bankë që do të ofronte shërbime për popullin bengalez në Britani. Por, mënyra se si po operonte banka më vonë, tërhoqi kritika nga një gazetë e të dielave dhe tërhoqi vëmendjen e Skuadrës së Mashtrimeve dhe Departamentit të Tregtisë dhe Industrisë në Londër. Publikimi negativ dhe këto hetime zyrtare larguan shumë nga mbështetësit e bankës, duke e lënë Stonehousein thellë në depresion dhe me ndjesinë se po humbiste gjithashtu respektin e kolegëve të tij deputetë.

Ai shpiku një plan për t’i shpëtuar çdo gjëje. Fillimisht, ai falsifikoi një aplikim për pasaportë në emër të Joseph Arthur Markhamit, një punëtor fabrike i cili kishte vdekur së fundmi në zonën e tij elektorale, Uolsoll, në Uest Midlends të Anglisë. Ai e shndërroi këtë identitet të ri në një konsulent eksporti që udhëtonte nëpër botë, me llogari bankare në Londër, Zvicër dhe Melburn. Më pas krijoi një tjetër identitet me emrin Donald Clive Mildoon, i cili gjithashtu kishte vdekur së fundmi në Uolsoll. Për të financuar këtë jetë të re, Stonehouse transferoi shuma të mëdha parash nga bizneset e tij në një sërë llogarish bankare.

Më 20 nëntor 1974, Stonehouse u zhduk ndërsa dukej sikur po notonte në det në Majami të Floridës. Nuk kishte asnjë gjurmë të tij, përveç një grumbulli me rroba që ai kishte lënë pas në plazh. A ishte marrë nga oqeani? A ishte vrarë dhe futur brenda një blloku betoni të gjetur pranë plazhit të Majamit? Apo ishte rrëmbyer?

Gruaja e tij, Barbara, nuk kishte asnjë dyshim se kishte ndodhur një aksident tragjik. Ajo i tha BBC-së: “Kam dëgjuar disa thashetheme të jashtëzakonshme dhe ato janë aq larg karakterit të personalitetit të burrit tim sa nuk ia vlen as të përgjigjem ose t’i mendoj. Jam e bindur, në mendjen time, se ishte një aksident mbytjeje. E gjithë prova që kemi tregon se ai u mbyt”.

Në Londër, policia kishte dyshimet e veta. Sheila Buckley, sekretarja dhe e dashura e fshehtë 28-vjeçare e Stonehouseit, këmbëngulte para miqve se ai kishte vdekur, por ajo e dinte të vërtetën: disa nga rrobat e saj ishin paketuar në një valixhe dhe ishin dërguar në Australi një muaj më parë; ajo kishte marrë telefonata transatlantike prej tij dhe gjithashtu i kishte dërguar letra të koduara pjesërisht përmes njërës prej dy bankave të tij australiane. Ishin ato dy llogari bankare me emra të ndryshëm, Markham dhe Mildoon, që përfundimisht i vunë policët e Melburnit në gjurmët e tij. Në atë kohë, ata ishin në kërkim të aristokratit të famshëm të zhdukur, Lordit Lucan, i cili rastësisht ishte zhdukur më 8 nëntor pas vrasjes së dados së fëmijëve të tij. Fillimisht, policia mendoi se anglezi elegant që u pa duke firmosur çeqe të dyshimta, mund të ishte pikërisht ai.

Ndërsa zhdukja e Lucani vazhdon të jetë mister për policinë prej 50 vitesh, misteri i Stonehouseit zgjati vetëm pak më shumë se një muaj. Në prag të Krishtlindjes, Stonehouse u detyrua të pranonte identitetin e tij të vërtetë. Më vonë, në selinë e Policisë së Melburnit, ai kërkoi nëse mund të telefononte gruan e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse nuk e kuptoi atëherë, u incizua telefonata ku ai iu rrëfye asaj.

Ai tha: “Përshëndetje, e dashur. Pra, ata këtu e zbuluan identitetin e rremë. Do ta kuptosh nga e gjithë kjo se të kam mashtruar. Më vjen keq për këtë, por në një farë mënyre jam i kënaqur që gjithçka mbaroi”. Për disa ditë, Stonehouse u mbajt në një qendër paraburgimi përpara se të bashkohej me familjen e tij në Australi dhe më vonë me të dashurën e tij.

Një muaj pas rishfaqjes së tij, Stonehouse dha një intervistë për korrespondentin e BBC-së në Australi, Bob Friend. Ai kritikoi veprimet e tij duke deklaruar se kishte zhvilluar një “personalitet të dyjëzuar, ku personaliteti i ri ofronte një çlirim për personalitetin e vjetër i cili ishte nën stres dhe tension të përmasave të mëdha”. Kur u pyet se si mund të kishte lënë familjen e tij në një dhimbje të tillë, ai tha: “Po përpiqesha – duke u zhdukur – të lehtësoja jetën e tyre … duke hequr disa nga tensionet që u shkaktova me personalitetin tim të vjetër”.

Stonehouse ishte ende deputet, por hodhi poshtë çdo sugjerim që ai duhej të hiqte dorë nga paga e tij parlamentare, edhe pse ndodhej 12 mijë milje [mbi 19 mijë kilometra] larg zonës së tij elektorale. Ai tha: “Shumë deputetë bëjnë vizita jashtë vendit, si dhe udhëtime për mbledhje faktesh. Unë kam bërë një udhëtim për mbledhje faktesh jo vetëm gjeografikisht, por edhe për brendësinë e vetes sime si një kafshë politike. Tani ai udhëtim mund të jetë shumë interesant dhe, për Zotin, mendoj se plotësisht e justifikojnë pagën e një deputeti nëse arrij ta shkruaj historinë e përvojës sime”. Ai shtoi: “Mendoj se një deputet, ashtu si çdo person tjetër në një punë tjetër, ka të drejtë për pak konsideratë gjatë një periudhe kur përjeton një lloj sëmundjeje”.

Për shtatë muaj, Stonehouse u përpoq të qëndronte në Australi, por përfundimisht u deportua dhe u shoqërua gjatë kthimit në shtëpi nga detektivët e Skotland Jardit. Në gusht 1976, pas një gjyqi maratonë që zgjati 68 ditë mbi akuzat për bizneset e tij të dështuara, ai u dënua me shtatë vjet burg për vjedhje, falsifikim dhe mashtrime të tjera. Ai u lirua nga burgu tre vjet më vonë ndërsa po shërohej nga një operacion në zemër – pasi kishte pësuar tri sulme në zemër gjatë kohës së tij në burg.

Gruaja e tij u nda nga ai në vitin 1978 dhe tre vjet më vonë ai u martua me Buckleyn, ish-sekretaren e tij. Ai vdiq për herë të dytë në vitin 1988 – dhe këtë herë me të vërtetë. 62-vjeçari u shemb tre javë më parë, pak përpara se të dilte në një emision televiziv për njerëzit e zhdukur.

Por, si mbeten pretendimet për spiunazh që dëmtuan aq shumë karrierën e tij politike? Në intervistën e tij për BBC-në, pas rishfaqjes, ai e hodhi poshtë si “të pabesueshme” idenë se kishte qenë spiun për Çekosllovakinë. Deri më sot, vajza e tij Julia mohon çdo pretendim se ai ia kishte kaluar informacionet forcave të huaja, ndërsa në vitin 2021 ajo shkroi një libër në mbrojtje të tij. Historiani i Kembrixhit, profesori Christopher Andrew, është një nga të paktët njerëz që kanë parë dosjen e MI5-shit për Stonehousein; në historinë e autorizuar të shërbimit inteligjent britanik, botuar në vitin 2009, ai përfundoi se Stonehouse kishte spiunuar për çekosllovakët.

Duke folur në vitin 2012, profesori Andrew i tha BBC-së: “Prova vendimtare erdhi në mes të viteve ’90 të shekullit XX, kur shërbimi inteligjent çekosllovak, pasi ishte bërë aleat, bëri publike disa nga dosjet e Stonehouseit. Ata ishin mjaft të zhgënjyer me cilësinë e informatave që ai u kishte kaluar si ministër, kështu që në listën e gjatë të njerëzve që John Stonehouse mashtroi, është e mundur që mund të shtohet edhe emri i inteligjencës çekosllovake”. /Telegrafi/

Exit mobile version