Site icon Telegrafi

Politikanët shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-ambasadorit Anton Berisha

Ndarja e papritur nga jeta e ish-zëvendësministrit dhe ish-ambasadorit Anton Berisha ka prekur thellë skenën politike dhe diplomatike të Kosovës.

Liderë të shumtë politikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për këtë humbje të madhe.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një telegrami ngushëllimi, e vlerësoi kontributin e Berishës si diplomat, ambasador dhe pjesë e lëvizjes kombëtare.

Lexo po ashtu Vdes ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha

Ai theksoi se Berisha ishte një nga gjenerata e parë e ambasadorëve të Kosovës dhe se angazhimi i tij, veçanërisht si ambasador i parë në Slloveni dhe si këshilltar diplomatik, ka qenë i jashtëzakonshëm për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kontributi i tij do të mbetet trashëgimi e rëndësishme për jetën politike dhe diplomatike të Kosovës. Kujtimi për të do të mbetet i paharrueshëm!”, tha mes tjerash Abdixhiku.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e cilësoi Berishën si një figurë të rëndësishme në proceset shtetndërtuese dhe në promovimin e Kosovës ndërkombëtarisht.

“Antoni dha një kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese dhe veçanërisht në afirmimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Antoni, u prehtë në paqe!”, tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Ish-presidenti Behgjet Pacolli, gjithashtu reagoi përmes Facebook-ut, duke shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit. “Sapo mora lajmin e trishtuar: paska ndërruar jetë ish-zëvendësministri i MPJ, Anton Berisha. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të tij.”

Lajmin për ndarjen nga jeta të ambasadorit e bëri të ditur djali i tij, Genci Berisha, i cili njoftoi se vdekja erdhi si pasojë e një sëmundjeje të shkurtër.

Anton Berisha mbetet një figurë e shquar që dha kontribut të jashtëzakonshëm në diplomacinë dhe politikën kosovare. Kujtimi i tij do të jetë gjithmonë frymëzim për brezat e ardhshëm.

Exit mobile version