Marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me reciprocitetin e targave është përshëndetur nga politika në Shqipëri.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka përmes një postimi në Twitter shprehet se vazhdimi i dialogut, ndaj të cilit Shqipëria mbetet e angazhuar, është e vetmja mënyrë për të ecur përpara në frymën e bashkëpunimit
“Shqipëria mirëpret marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi i dialogut është e vetmja mënyrë për të ecur përpara në frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilit Shqipëria është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe”, shkruan ministrja Xhaçka në Twitter.
Edhe kreu i PD, Lulzim Basha ka përshëndetur marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA si ‘një hap të i rëndësishëm në uljen e tensioneve dhe në trajtimin e barabartë të qytetarëve në të dy anët e kufirit’.
“Unë dhe PD mbështesim dhe inkurajojmë përpjekjet dhe angazhim e BE dhe SHBA për një zgjidhje të përhershme, për marrëveshjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi kreu i PD në Twitter.