Policia e Shtetit ka mundur të zbulojë personat e përfshirë në vrasjen e biznesmenit në Shëngjin, Ardian Nikualaj.
Gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp, Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, tha se policia ka prova të pakontestueshme se ekzekutori i Nikulaj është një shtetas portugez.
Ai shtoi se janë shpallur urdhër arrestet dhe për 5 persona të tjerë të përfshirë në ngjarje. Sipas tij ata janë shtetas britanikë dhe janë larguar nga Shqipëria pas vrasjes.
Rrumbullaku shtoi se motivet e ngjarjes lidhjen me gjakmarrjen dhe se po punohet me partnerët për arrestimin e personave të përfshirë.
“Grupi hetimor dhe oficerët e policisë gjyqësore, jemi 100% të bindur në lidhje me ekzekutorit i cili është shtetas portugez, për të cilin sigurojmë të gjitha provat shkencore të nevojshme. Në lidhje me sigurimin e provave ju garantojmë se kemi siguruar prova të plota që përcaktojnë autorësinë dhe rolet e të gjithë personave të dyshuar. Jemi në fazën e dytë të operacionit për të kapur me partnerët personat e përfshirë”, tha Rrumbullaku.
Në përfundim të këtyre veprimeve paraprake, nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:
E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
R. R. S., shtetas portugez,
H. J. S., shtetas britanik,
H. B., shtetase britanike,
TH. M., shtetas britanik,
S. P. H, shtetas britanik.