Ka përfunduar me sukses operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e fëmijës së zhdukur në fshatin Tërpezë të Malishevës
Policia e Kosovës njofton se Stacioni Policor në Malishevë, me datën 21.08.2020 në ora 20:20 Stacioni Policor në Malishevë përmes telefonit është njoftuar nga personi mashkull kosovar (prindi) se fëmija i tij i lindur më (2018) i gjinisë mashkull, me iniciale ( T.K) ishte larguar nga shtëpia para dy orëve në drejtim të panjohur.
Sipas Policisë së Kosovës, dyshimet fillestare ishin se fëmija ka hyrë në malin që gjendet afër shtëpisë në fshatin Tërpezë-Komuna e Malishevës dhe sipas ankuesit, janë bërë kërkime në shtëpi dhe përreth, por nuk është hasur fëmija.
“Me qëllim të zbulimit të vendndodhjes së fëmijës, stacioni policor Malishevë menjëherë ka organizuar operacionin për kërkim-shpëtim, ku janë angazhuar Komandanti i Stacionit Policor të Malishevës, Zëvendësdrejtori rajonal, Shefi i Operativës Rajonale DRP-Gjakovë, patrullat policore nga Stacioni, NJRKRR si dhe operatorë të NJRSH, njësiti policor me qen (K-9)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit, “në operacion janë angazhuar Ekipi për Kërkim Shpëtim nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ekipi për kërkim shpëtim nga Zjarrfikësit komunal, si dhe kanë dal në vend ngjarje edhe Nënkryetari i komunës dhe Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim nga KK-Malishevë si dhe banorët e shumtë të fshatit Tërpezë dhe fshatrave tjera së bashku me grupin e vullnetarëve janë vënë në kërkim të fëmijës të humbur”.
Në këtë drejtim, njofton policia, operacioni ka filluar më datë 21.08.2020 dhe ka vazhduar pandërprerë deri më datë 22.08.2020 në ora 11:45 kur është gjetur fëmija nga banorët e fshatit dhe ekipet e zyrtarëve nga PK, FSK dhe vullnetarëve të angazhuar në kërkim.
“Fëmija është gjetur në zonën malore në distancë rreth 600 metra larg shtëpisë dhe menjëherë iu është ofruar ndihma e parë nga ekipi i QKMF Malishevë të cilët kanë qenë të angazhuar në operacion dhe i njëjti i shoqëruar nga prindërit është dërguar në QKMF-Malishevë për ekzaminim mjekësorë. Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile, ndërsa pas kontrollit mjekësorë fëmija është liruar për në shtëpi”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.
“Duhet të ceket se bashkëpunimi dhe koordinimi profesional ndërmjet institucioneve gjatë këtij operacioni ka bërë që kërkimi-shpëtimi të rezulton me sukses, po ashtu rendësi të veçantë në këtë operacion ka pasur angazhimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve dhe grupeve të vullnetarëve me udhëheqësit institucional të operacionit, gjë për të cilën u jemi falënderues dhe mirënjohës për angazhimin e treguar”, përfundohet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/