Site icon Telegrafi

Policia tregon për gjendjen në veri, ku janë vendosur barrikada nga grupet kriminale serbe

Foto: Ilustrim

Situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit.

“Në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në komunikatë.

Policia demanton spekulimet e vazhdueshme nga persona të caktuar dhe disa media kryesisht serbe, përfshirë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuar Dejan Pantiq.

“I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar”, thuhet në komunikatë.

Policia thotë se “duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit”.

“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version