Telegrafi

Policia thotë se procesi i betimit të Erden Atiq ka kaluar qetë dhe pa incidente

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se procesi i betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka kaluar qetë dhe pa incidente.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, Policia e Kosovës (PK), sipas detyrës zyrtare dhe objektivave të parapara strategjike, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

“Është detyrë e Policisë së  Kosovës që të ofrojë siguri, të mbrojë të drejtat themelore të të gjithë personave, të ruajë pronën publike dhe private si dhe t’ua mundësojë lëvizjen e lirë dhe ushtrimin
e të drejtave të gjithë personave pa dallim.

Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së
drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Atiq: Do të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim

Tutje, në njoftim thuhet se, qëllimi i planifikimeve dhe koordinimeve me institucionet relevante, ka qenë dhe vazhdon të jetë krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mundësimi i ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhestabilitetin në vend.​

“Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo
rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik”, vijon komunikata.

Ndryshe, sot Erden Atiq  ka marrë detyrën si kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Atiq pas betimit u zotua se do të punojë për të mirën e gjithë qytetarëve, pa dallim dhe pa diskriminim. /Telegrafi/