Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për mediat ka sqaruar arrestimin e katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Zemi, Zgjim Hyseni, Lekë Isufi dhe Arbër Morina.
Sipas Policisë, të katër personat kanë tentuar që ta ndalojnë eskortën e kryeministrit të Kosovës në rrugën “Fazli Grajçevci”, në Prishtinë, dhe janë arrestuar për moszbatim të urdhrave të personit zyrtar.
Me procedurë të rregullt janë liruar tre nga të arrestuarit, ndërsa Zgjim Hyseni ka mbetur nën arrest pasi ka rezultuar të jetë i kërkuar nga Gjykata Themelore.
“Të dyshuarit: E. Azemi, 20 vjeç, mashkull shtetas Kosovar, L. Isufi, 19 vjeç, mashkull shtetas Kosovar, A. Morina, 25 vjeç, mashkull shtetas Kosovar, si dhe Z. Hyseni, 30 vjeç, mashkull shtetas Kosovar, nuk kanë përfillur urdhrat e policisë së trafikut, andaj për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të personit zyrtar janë shoqëruar në stacionin policor”, thuhet në komunikatë.
Policia njofton se ndaj të dyshuarve policia ka iniciuar rast dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për kompletimin e rastit,
“Ndërkohë që i dyshuari Zgjim Hyseni ka rezultuar të jetë i kërkuar me urdhëresë aktive nga ana e gjykatës dhe i njëjti është dërguar në qendrën e paraburgimit për procesim të mëpastajmë para Gjykatës Themelore”, thuhet në komunikatë.Arr