Site icon Telegrafi

Policia shqiptare plagos të shumëkërkuarin për vrasje

“Orges Bilbili i shpallur në kërkim prej 2016-ës për një vrasje të dyfishtë në Lushnje dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, u plagos mesditën e së premtes në kryeqytet nga një efektiv i forcave Shqiponja”.

I veshur me një bluzë me kapuç ai ka qenë duke lëvizur në rrugë rreth orës 11:20,  kur efektivi i forcave Shqiponja i ka kërkuar të tregonte lejen për të dalë nga shtëpia dhe një dokument identifikimi.

Në këtë moment Orges Bilbili, është larguar me vrap. Policia e ka ndjekur, por ai ka nxjerrë një pistoletë nga një çantë dore që mbante me vete dhe e ka kërcënuar se do ta qëllonte.

Por efektivi i forcave Shqiponja nuk është ndalur. I ka kërkuar të lëshonte armën dhe e ka paralajmëruar duke qëlluar në ajër.

Kur 30 –vjeçari i është përgjigjur se do ta qëllonte, atëherë ai ka qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur.

Plumbat kanë kapur edhe një kalimtare të rastit.

Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj ishte vetë në vendin e ngjarjes dhe tha se polici ka vepruar sipas rregullave.

Dy të plagosurit janë transportuar në spitalin e Traumës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa efektivi i policisë ka dhëne dëshminë e tij në Drejtorinë e Tiranës në lidhje me ngjarjen, duke thënë se kishte vepruar konform ligjit.

Bilbili konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për disa vrasje e plagosje në zonën e Lushnjes.

Ai rezulton i dënuar edhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për ”Trafikim i narkotikëve”, si bashkëpunëtor i italianit Xhorxho Riformato.

Po ashtu, ai dyshohet se, së bashku me Laert Haxhiun vranë në vitin 2017 Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën dhe që së bashku kanë vrarë në vitin 2010 edhe Gerti Lalen.

Është i dyshuar gjithashtu edhe për atentatin ku mbeti i plagosur Xhulio Shkurti dhe Sajmo Xhelili.

Në shtator të vitit 2018, forcat speciale Renea organizuan një operacion për kapjen e Bilblit në fshatin Rremas, në Divjakë, por pa mundur ta arrestojnë. Gjatë operacionit u plagos një i moshuar./TV Klan

Exit mobile version