Site icon Telegrafi

Policia shpërndan dasmorët në Has të Prizrenit, organizatorit i shqiptohet 200 euro gjobë

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës bën të ditur se më 14 tetor 2021, rreth orës 20:30 kishte pranuar një informacion pasi në fshatin Konjushë në Has të Prizrenit, kanë organizuar një aheng familjar (dasmë), në kundërshtim me masat e vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se në zbatim të masave dhe informacionit të pranuar njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke e identifikuar lokacionin ku mbahej ky aheng.

“Pas verifikimit Policia ndërmori masa në bazë të Ligjit dhe Vendimit të Qeverisë, duke i shpërndarë dasmorët, ndërsa ndaj organizatorit është shqiptuar gjobë në vlerë prej 200 eurosh”, thuhet në njoftim.

Po ashtu njësitet policore kanë identifikuar të dyshuarin A. Ç., m/sh i datëlindjes 1989 cili ishte mysafir në aheng, e që kishte gjuajtur me armë zjarri, të cilën e kishte me leje, model ‘Zatsatva’ M57 kalibër 7.62 e cila është konfiskuar në cilësinë e provave materiale.

Njësitet policore, të gjitha veprimet i kanë ndërmarrë duke u koordinuar me prokurorin e shtetit dhe pas intervistimit të dyshuarit me urdhër të prokuronit rasti shkon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version