Telegrafi

Policia shpall konkurs për zëvendësimin e serbëve të dorëhequr në veri

Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë për Drejtorinë Rajonale në veri të Mitrovicës.

Sipas njoftimit, të drejtë konkurrimi kanë të gjitha minoritetet.

“Për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit për të gjitha minoritetet (Serb, Boshnjak, Turq, Goran, Romë, Ashkali, Egjiptas, Kroat, Malazez, Maqedonas). Vendi i punës: Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin për media.

Në konkursin e paraqitur, policia ka dhënë detaje se cilat janë kushtet për pranim.

Kusht kryesor është të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të jetë i moshës 18 deri 30- vjeçar, të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm, të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale, të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale e emocionale, të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh si dhe të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, qindra serbë në veri të Kosovës u larguan nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe institucionet lokale e qendrore.

Dorëheqjet u dhanë në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me rirregjistrimin e vetura me targa serbe, në ato RKS. /Telegrafi/