Telegrafi

Policia shënon 17 vjetorin, Mustafa e Hyseni e lavdërojnë për profesionalizëm (Foto)

Policia e Kosovës ka shënuar sot 17 vjetorin e themelimit. Me rastin e këtij përvjetori PK-ja ka mbajtur një ceremoni në Sallën e Kuqe të Pallatit të rinisë, ku fillimisht është bërë edhe parakalimi i gardës.

Pjesë e kësaj ceremonie ishin kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, kryeprokurori Aleksander Lumezi dhe shumë fytyra të tjera publike.

Në fjalën e tij kryeministri Isa Mustafa theksoi se Policia e Kosovës është institucion i besueshëm.

“Ne mburremi me ju dhe ju do të keni përkrahje të fuqishme nga ne. E di që se keni pas lehtë sepse kohët e fundit jeni përballë me sfida ku e keni mbrojt vendin dhe popullin e Kosovës por këto i keni bërë me profesionalizëm dhe mbi bazën e Kushtetutës”, ka thënë Mustafa.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka theksuar se pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë dëshmuar se janë mbrojtës të Republikës së Kosovës.

“Sot kemi shumë arsye për të qenë krenar. Kemi polici të përkushtuar për shtetin e vet që nuk i mungon as vullneti dhe as gatishmëria”, ka thënë Hyseni.

Në anën tjetër drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni theksoi se sot me shumë të drejtë Policia e Kosovës vlerësohet se është institucioni më kredibil në vend dhe se policia është fuqishëm e përkushtuar që të përmbush obligimet e saj.

“Ishim me fat që kemi profesionistë ndërkombëtarë që na ndihmuan në konsolidimin e Policisë. Sukseset e Policisë krahasohen me suksese të Policive të vendeve shumë të zhvilluara botërore”, tha Maxhuni

Në fund të ceremonisë u ndanë edhe medalje për policët e dalluar./Telegrafi/