Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka pranuar një telefonatë anonime, kinse në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë është vendosur një mjet shpërthyes.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, dhe se nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë”, deklaroi ajo.
Ahmeti bëri të ditur se, njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Ndryshe, edhe para disa javësh Policia kishte pranuar një telefonatë nga një qytetar i cili kishte gënjyer se ka vendosur mjet shpërthyes në hapësirat e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. /Telegrafi/