Disa ditë pas mbylljes së njësive të Bankës Postare – Kursimore në veri të Kosovës, Policia ka hyrë në zyrat e njërës njësi për të hapur një kasafortë, për të cilën në aksionin e fundit nuk e kishin çelësin.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Në një nga gjashtë lokacionet e disa bankave të cilat i kemi bastis më herët, na ka mbet një kasafortë pa e çel….Sot e siguruam çelësin dhe e kemi hap…”, tha shkurt Elshani.
Aksioni është vëzhguar nga EULEX-i.
Ndryshe, javë më parë në veri të vendit janë mbyllur 6 njësi të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve.
“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ishte shprehur Sveçla. /Telegrafi/