Organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, tha se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka reaguar duke thënë se ky raportim nuk qëndron dhe se është i pavërtetë.
“Sot, në orën 09:28 personi në fjalë (M. M.) me automjetin e tij, është paraqitur në vendkalimin kufitar SPK-Jarinje dhe pas përfundimit të procedurave kufitare i njëjti pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë. Vlen të potencohet se ndaj të njëjtit nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara”.
“Me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinje kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre”.
Policia thotë se nuk duhet të tentohet të njolloset puna profesionale e zyrtarëve policorë, të mos krijohen tensione dhe pasiguri te qytetarët.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të saj, të ofrojë zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës në mënyrë profesionale dhe efikase ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Policisë së Kosovës.
Në një komunikatë dërguar mediave, Aktiv pretendon se incidenti ka ndodhur mëngjesin e 14 nëntorit, pranë vendkalimit kufitar me Serbinë – Jarinjë.
Milliqeviq, thuhet në komunikatë, “është ndaluar nga forcat speciale të Kosovës, është ndarë nga kolona dhe gjatë marrjes në pyetje, një pjesëtar i policisë speciale e ka goditur me grusht në bark”.
“Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe ngacmime verbale, pasi policët i kanë bërtitur Milliqeviqit, i kanë kërkuar të heshtë dhe e kanë pyetur se përse nuk ka dokumente të Kosovës”, thuhet në komunikatën e organizatës Aktiv.
Sipas saj, Milliqeviq, gjatë gjithë procedurës – nga ndalimi deri në marrjen në pyetje – “ka bashkëpunuar plotësisht me policinë” dhe “nuk ka bërë asgjë për të nxitur reagimin e dhunshëm të policisë”./Telegrafi/