Telegrafi

Policia rajonale e Ferizajt takim me përfaqësues të bankave, kërkohet shtim i masave dhe sigurisë rreth degëve bankare 

Foto: Arkiv

Policia Rajonale e Ferizajt ka thirrur në takim përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.

Në këto takime është diskutuar situata e sigurisë, e cila është vlerësuar e qetë në rajonin e Ferizajt, ndërkaq është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth degëve të bankave në komunat e rajonit në parandalim të incidenteve kriminale të vjedhjeve, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve.

Menaxhmeti i stacioneve policore i ka siguruar përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale se policia ka në zbatim planin operativ me masa të shtuara të policisë në terren dhe aktivitetet e policisë do të përqendrohen rreth bankave.

“Do të angazhohen të gjitha njësitet, duke i përfshirë policët e rendit, policët e sektorit, hetuesit e stacioneve dhe hetuesit rajonal. Gjithashtu do të bashkërendohen aktivitetet për mbështetje edhe me njësi tjera, në rast nevoje.

Në këto takime janë përcaktuar prioritetet e policisë rajonale për ditët në vijim dhe se policia do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kanë tendenca të cenojnë sigurinë dhe prishin rendin dhe qetësinë publike”, thuhet më tej. /Telegrafi/