Site icon Telegrafi

Policia publikon video teksa vidhet një veturë në Ferizaj – kërkon ndihmë për gjetjen e të dyshuarit

Policia e Kosovës ka publikuar këtë të enjte një video në llogarinë zyrtare në Facebook, ku shihet një person duke vjedhur një veturë në Ferizaj.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 4 prill të këtij viti në rrugën “Sali Çeku”, saktësisht në parkingun e një marketi në Ferizaj.

Ndaj, policia në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për publikimin e fotografive/video incizimit të personave në kërkim, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, me qëllim identifikimin dhe vendndodhjen e personit në kërkim policor, i cili dyshohet për vjedhjen e veturës.

“Vjedhja e rëndë ka ndodhur me datën 04.04.2022  rreth orës 00:25 në rrugën ‘Sali Çeku’, saktësisht në parkingun para market ‘Ari’ në Ferizaj, ku një person i gjinisë mashkull (si në video) dyshohet se ka kryer vjedhjen e një automjeti GOLF VII ngjyrë e kaltër me targa vendore”.

“Policia kërkon nga qytetarët që, kushdo që ka ndonjë informacion rreth këtij personi, si në video, të lajmërojnë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”. /Telegrafi/

Exit mobile version