Policia e Kosovës ka publikuar ftesën për paraqitje vullnetare ndaj kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj, në stacionin policor në Prishtinë.
Në vërtetim mbi dorëzimin e thirrjes thuhet se ajo është dorëzuar në zyrat e PSD-së dhe se personat prezentë kanë refuzuar ta nënshkruajnë pranimin e saj.
Ndërsa në njoftim e Policisë lidhur me arrestimin e Molliqajt thuhet se derisa policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur, transmeton Telegrafi.
“Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është arrestuar sonte nga Policia e Kosovës.
Ai është arrestuar derisa po shkonte në një emision televiziv.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës.
Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë. /Telegrafi/