Telegrafi

Policia publikon fletëqortimin zyrtar, do të aplikohet për ata që janë ende me targa ilegale

Policia e Kosovës, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS, ka bërë të gjitha planifikimet e saja me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.

Sipas vendimit zyrtar nga data një nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Ndërsa nga data njëzet e një nëntor deri me datë njëzet e një janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.

Policia ka publikuar formën e fletëqortimit zyrtar “Qortim”,  e cila do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar./Telegrafi