Edhe këtë vit, Policia e Kosovës do të zhvillojë një plan operativ për festat e fundvitit, që do kujdesen për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, aksidenteve si dhe marrjen e masave ndaj festimeve që bëhen nga qytetarët në ndërrimin e motmoteve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për KosovaPress se si Polici e Kosovës kanë bërë një plan operacional për sigurinë publike dhe për një festim sa më sigurt të qytetarëve.
“Policia e Kosovës duke pasur parasysh që në fundin e vitit dhe në fillimin e vitit të ri kemi disa aktivitete festive ne kemi bërë një plan operacional për të garantuar rendin dhe sigurinë publike si dhe për të garantuar një festim sa më dinjitoz të këtyre festimeve nga qytetarët tanë”, tha Hoxha.
Hoxha gjithashtu ka treguar se sa i përket informatave që ka policia, qarkullimi i bashkatdhetarëve në pikëkalimet kufitare është duke shkuar pa pengesa.
“Referuar informacioneve që kemi nga terreni nëpër të gjitha pikat e kalimit kufitar, qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht pa pengesa përveç pritjeve të zakonshme që bëhen si rezultat i kontrolleve të rregullta kufitare”, tha Hoxha.
Sa i përket Ligjit të Trafikut Rrugor, Hoxha tha se Policia e Kosovës është duke kryer detyrat me kompetencë, dhe se falë këtyre numri i aksidenteve është më i vogël.
“Me fillimin e implementimit të ligjit të ri të trafikut rrugor, Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke kryer edhe detyra me kompetencë në funksion të zbatimit të këtij ligji, mund t’ju them që falë angazhimeve aktive të Policisë së Kosovës kemi edhe një ndryshim të gjendjes ku edhe numri i aksidenteve, përkatësisht i atyre me fatalitet ka shënuar një rënie të theksuar”, tha Hoxha.
“Ne si Polici e Kosovës, në vazhdimësi edhe përmes apeleve të ndryshme edhe përmes planeve operacionale kemi ngritur po ashtu edhe kapacitetet tona, zyrtarët tonë nëpër pikat më të ndjeshme ku vlerësohet se kemi pasur aksidente më të shpeshta të trafikut dhe në vazhdimësi jemi duke punuar, natyrisht edhe kemi ndërmarrë masa dhe ndaj atyre shkelësve që kanë rënë ndesh me rregullat dhe procedurat që i parasheh ligji mbi trafikun rrugor dhe në vazhdimësi jemi duke punuar për të garantuar një siguri të përgjithshme”, tha Hoxha.
Hoxha shtoi se përmes apeleve kanë lansuar gjithashtu edhe fushata të ndryshme të vetëdijesimit në mënyrë që të ketë një siguri më të madhe në Trafikun Rrugor.