Derisa numri i viktimave dhe atyre të plagosurve është duke u rritur nga sulmi me armë zjarri që ndodhi sot në parkun Highland në Chicago, Illinois, ku po mbahej parada që shënonte 4 korrikun, policia amerikane e ka përshkruar në detaje sesi duket sulmuesi.
Pavarësisht që mbetet në arrati, ai është përshkruar si një djalë nga 18 deri në 20-vjeç, me flokë të zeza, dhe në momentin e sulmit me pushkë automatike kishte të veshur një bluzë me të zezë dhe të kaltër, transmeton Telegrafi.
Ai kishte hapur zjarr nga kulmi i një ndërtese, duke qëlluar kalimtarët e rastit. Deri më tani janë konfirmuar 6 të vrarë dhe 31 të plagosur.
Madje në rrjetet sociale janë publikuar pamjet kur derisa po parakalonte turma në paradë, dëgjohen të shtënat dhe qytetarët e kapluar nga paniku fillojnë të vrapojnë në të gjitha anët për t’i shpëtuar plumbat.
Sulmi kishte filluar vetëm 10 minuta pasi kishte filluar parada, kurse policia menjëherë kishte bllokuar zonën ku kishte ndodhur sulmi dhe kishte këshilluar qytetarët që të shmangin atë rajon për shkaqe sigurie.
Me të dalë në vendin e ngjarjes, policët kanë gjetur një pushkë automatike, kurse dëshmitarët thonë se të shtënat kanë ndodhur shpejtë, që sipas ekspertëve të fushës së sigurisë thonë se mund të jenë shkrepur vetëm nga një pushkë automatike. /Telegrafi/