Njësia e Trafikut Rrugor në kuadër të drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicë, ka përmbyllur fazën e dytë të ligjëratave për nxënësit nëpër shkolla në përfitimin e njohurive themelore për temën ‘’Siguria në trafikun rrugor”.
Sipas Policisë, këto ligjërata janë realizuar në vazhdën e angazhimeve të vazhdueshme në sensibilizimin dhe vetëdijesim e nxënësve me njohuri themelore për respektim të rregullave në trafikun rrugor, ku kryesisht janë përfshirë nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore.
“Përveç pjesës teorike janë realizuar edhe aktivitete praktike ku janë demonstruar sjelljet e nxënësve si këmbësorë në trafikun rrugor. Këto ligjërata janë zhvilluar nëpër hapësirat shkollore në komunat: Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, ku janë përfshirë 15 shkolla, me 850 nxënës, ku mbarëvajtja e ligjëratave është realizuar në bashkërendim me autoritete edukativo-arsimore, në nivel të drejtorive komunale të arsimit, të drejtorive të shkollave, nga të cilët është vlerësuar se këto ligjërata po plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e sigurisë në trafik. Angazhimet policore në fushën e ofrimit të sigurisë në shkolla, si dhe në lëmin e këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve tjera nuk do të mungojnë në të ardhmen”, thuhet në konferencë.
Ky bashkëpunim i mirë me institucionet e arsimit po reflekton në mbrojtje dhe vetëdijesim të sigurisë në trafikun rrugor./kp/