Site icon Telegrafi

Policia përdor armët për të neutralizuar hajnat në Lipjan

Një vjedhje ka ndodhur dje rreth orës 03:00 në Rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan.

Policia ka njoftuar se persona të maskuar kanë arritur të thyejnë një market, ku kanë vjedhur arkën me një sasi të parave dhe gjëra të tjera.

Të dyshuarit me një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjatë ndjekjes nga njësitet policore në Prishtinë, të dyshuarit në ikje e sipër kanë tentuar të godasin zyrtarin policor.

“Për rrjedhoje zyrtarët policorë duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e personave të dyshuar përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre dhe pjesëmarrësve në komunikacion,  domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme”, njofton policia, përcjell Kallxo.com.

Policia po ashtu ka njoftuar se gjatë ndjekjes së të dyshuarve janë aksidentuar dy vetura zyrtare të Policisë, ku janë lënduar katër zyrtarë policorë.

Zyrtarët policorë kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

Në njoftimin e Policisë thuhet se në të njëjtën kohë ka qenë duke u zhvilluar edhe një aksion tjetër i Policisë, ku është arrestuar një person i dyshuar për grabitje.

Policia ka njoftuar se po punon me përkushtim me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

Exit mobile version