Site icon Telegrafi

Policia parandalon kontrabandimin e mallrave në kufirin Kosovë-Serbi, konfiskohet sasi e madhe e cigareve

Njësitet e Task Forcës – Lindje të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë ndaluar një rast të kontrabandës me mallra në fshatin Korminjan – Ranilluk, në brezin kufitar me Serbinë.

Pas marrjes së informatave zyrtare, më 4 dhjetor, është ndaluar një traktor me rimorkio të improvizuar, i drejtuar nga një shtetas serb.

Gjatë kontrollit të rimorkios, autoritetet kanë zbuluar: 250 kg duhan të përpunuar (markat Marlboro, Winston, Camel, Lucky Strike), 250 boksa cigare të markave të ndryshme (Trokadero, King, Korset i kuq dhe i kaltërt).

Vlera e mallrave të konfiskuara llogaritet në 8,500 euro, ndërsa shmangiet nga tatimi dhe akciza kapin shifrën e 13,000 euro.

Të gjitha veprimet e nevojshme janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa mallrat dhe automjeti janë dërguar në terminalin doganor për procedim të mëtejshëm nga njësitë përkatëse policore.

Ky aksion është pjesë e masave të intensifikuara për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe paligjshmërisë në brezin kufitar./Telegrafi/

Exit mobile version