Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli nga Baerumi në Norvegji që më herët ishin burgosur për terrorizëm, janë në kërkim nga policia e këtij vendi nën, akuzën për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20-vjeç në Mortensrud, vrasje kjo që ndodhi dy javë më parë.
Siç raporton vg.no, megjithatë vëllezërit Avdyli mohojnë çfarëdo akuze që mund të rëndojë mbi ta – duke pretenduar se nuk kanë gisht në këtë, transmeton Telegrafi.
Gjatë 7 tetorit, Hamse Hashi Adan u qëllua derisa po qëndronte me disa persona tjerë para shkollës Lofsrud në Mortensrud. Të nesërmen ai ndërroi jetë nga plagët e marra.
Pas dy javëve hetime intensive, policia arriti të arrestojë një person rreth të 40-ve nga Oslo. Ai tani është në paraburgim. E policët janë në kërkim edhe të dy personave tjerë të cilët akuzohen për këtë vrasje. Ata kërkohen nga policia norvegjeze. TV 2 raporton se policia beson se dy vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli janë të përfshirë në këtë rast.
E pas transmetimit të këtij lajmi nga TV 2, policia ka konfirmuar emrat e të dyshuarve gjatë një konference për media. Gjithashtu publikuan fotografitë e tyre të marra nga kamerat e sigurisë në aeroportin e Oslos gjatë 9 tetorit, dy ditë pas të shtënave, nga ku besohet se udhëtuan për në Prishtinë.
Në vitin 2016, Valon Avdyli, 35-vjeç, ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS. Ai ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim.
Ndërkaq vëllai i tij i vogël Visar Avdyli, 31-vjeç, ishte dënuar me tetë muaj burgim për të njëjtin rast. Gjykata besonte se ai ishte munduar t’i dërgoj materiale organizatës terroriste. Në vitin 2017, u dënua për një rast tjetër të dhunës në Trondelarg, shkruan ndër tjera TV 2.
Ata janë vëllezërit e Egzon Avdylit, i cili u vra në Siri gjatë vitit 2014 si pjesë e ISIS-it.
E avokati Svein Holden, avokat i Valon Avdylit ka thënë se ka qenë në kontakt me dy vëllezërit. Por që të dy sipas tij mohojnë të jenë të përfshirë në vrasje. /Telegrafi/