Telegrafi

Policia njofton për katër vdekje, dy prej tyre të dyshimta

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të mërkurën ka njoftuar për katër vdekje të cilat kanë ndodhur në qytete të ndryshme.

Sipas policisë, dy prej tyre janë iniciuar si vdekje të dyshimta, njëra aksidentale si dhe një hetim mbi vdekjen.

Njëri rast bëhet e ditur se ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ka vdekur një fëmijë që ishte duke u trajtuar.

“VDEKJE E DYSHIMTË – Fsh. Strovc, Vushtrri, 19.09.2023-21:22. Nga QKUK jemi njoftuar se në Intensiven Qendrore kishte ndërruar jetë një fëmijë i gjinisë mashkullore i cili kishte qenë i shtrirë nga data 12.09.2023”, thuhet në raport.

Dyshohet se viktima më herët ishte rrezuar dhe rasti nuk ishte raportuar në polici. Rasti është duke u hetuar.

Një tjetër vdekje është raportuar se ka ndodhur në rrugën “Anton Harapi” në Prishtinë, ku është gjetur pa shenja jete një 60-vjeçar.

“HETIM MBI VDEKJEN – Rr. Anton Harapi, Prishtinë. Raportohet se është gjetur pa shenja jete i moshës rreth 60 vjeçare. Identiteti i personit nuk dihet. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, ka bërë të ditur policia.

Vdekje e dyshimtë është raportuar edhe në Ferizaj, ku është gjetur pa shenja jete një i mitur.

“VDEKJE E DYSHIMTË – Rr. Imri Neziri, Ferizaj 19.09.2023-16:46. Viktima mashkull kosovar i mitur është gjetur pa shenja jeta. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori”, thuhet në raport.

E një vdekje aksidentale është raportuar se ka ndodhur në fshatin Qabiq të Klinës, ku një person ka vdekur pasi është rrotulluar me traktor në pyll.

“VDEKJE AKSIDENTALE – Fsh. Qabiq, Klinë. 19.09.2023 – 12:00. Raportohet se viktima mashkull kosovar është rrotulluar me traktor në pyll dhe si pasojë ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në Spitalin e Pejës dhe më pas nga mjekët është informuar se viktima ka vdekur. Rasti është duke u hetuar”, bëhet e ditur nga policia. /Telegrafi/